E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumturimi i Nënë Terezës, mbrëmje muzikore në TKOB

TIRANË- Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit shfaqi mbrëmjen e sotme koncertin “Tinguj Lartësimi”, një mbrëmje muzikore kushtuar Lumturimit të Nënë Terezës.
Nën dirigjimin e Dritan Lumshit, kori Kameral i TKOB-së interpretoi pjesën muzikore "Botës i përkas", një kompozim i Gjon Simonit mbi tekstin e Nënë Terezës. Solistët dhe kori i TKOB-it interpretuan gjithashtu pjesët "Dona nobis pacem", "Jetova me art, jetova me dashuri", pjesë e operës "Toska", "Cavalleria Rusticana", "Sale", etj.

Pjesë e shfaqjes ishte dhe Ansambli Polifonik Popullor, i cili interpretoi "Lutje" të Bortnjanskij, "Kënga e Nënës" dhe "Me lule t’bukra".
Në mbrëmjen muzikore kushtuar Nënë Terezës, në ditën e tetë vjetorit të Lumturimit të saj, aktorja Roza Anagnosti interpretoi pjesë nga vepra letrare e Nënë Terezës, poezitë plot mesazhe të saj.
Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

"Shenjtore e të varfërve", Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›