E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lunaçek: Nisja e dialogut për vizat, shenjë e stabilitetit

Ulrike Lunaçek, zëdhënëse për politikë të jashtme e fraksionit të të gjelbërve dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, përshëndet fillimin e dialogut për heqjen e vizave për Kosovën. Në një intervistë për DW, ajo pohon se izolimi i kosovarëve do të ishte një katastrofë.

“Vajtja e Komisares së BE-së, Malmstrom në Prishtinë dhe hapja e dialogut me Kosovën për heqjen e vizave, sjell një hov të ri në procesin e afrimit me BE-në të të gjitha vendeve te Ballkanit Perëndimor- tha më tej ajo.

Fillimi i dialogut për heqjen e vizave me Kosovën është shenjë e stabilizimit dhe normalizimit të rajonit. Përveç kësaj, futet në proces përfundimi i politikës së përjashtimit kundrejt Kosovës, sepse të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit perëndimor mund të lëvizin të lirë në BE, prej fundit të vitit 2010. Pas vizitës së Malmstrom-it në Kosovë, Komisioni duhet të prezantojë një Road- Map për liberalizimin e vizave. Qeveria e Prishtinës duhet të zbatojë me përkushtimin e nevojshëm, detyrat në rrugën drejt heqjes së detyrimeve të vizave, duke përfshirë edhe shoqërinë civile të vendit.

Brukselit dhe Prishtinës i kërkohet që të nxjerrin nga izolimi i pamerituar qytetarët kosovarë. Izolimi është për popullsinë kosovare, dy të tretat e të cilës janë nën 25- vjeçarë, një katastrofë. Ai përbën një problem edhe për besueshmërinë e BE-së. Liria e lëvizjes, një nga shtyllat themelore të mendimit evropian, nuk duhet tu mohohet ende njerëzve në Kosovë, përfundon deklarata e Lunaçek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›