Romës i duhet një mrekulli

Mesfushori i Romës, Daniele de Rossi ka pranuar se skuadrës së tij i nevojitet një mrekulli për të përfunduar në tri pozitat e para në Serie A këtë sezon.
Ekipi nga Stadio Olimpico aktualisht gjendet në pozitën e tetë në ligë me 17 pikë nga 13 ndeshje, 12 më pak se kryesuesi Juventus dhe 10 të tjera prapa vendit të tretë që i takon Udineses. Edhe pse De Rossi pranoi se Romën e pret një detyrë e vështirë të kompensojë deficitin, ai siguroi tifozët se ekipi do të vazhdojë të luftojë.
“Do të ishte një mrekulli nëse Roma arrin të përfundojë në tri pozitat e para dhe kualifikohet për në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, ne do të luftojmë për ta arritur këtë”, tha De Rossi për të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport. Roma është duke u përgatitur për ndeshjen e rëndësishme të së hënës mbrëma në Serie A, kur do të jetë nikoqire e Juventusit.