Lundrimi, sporti më i ri në Kosovë
Kosovës i është shtuar edhe një sport tjetër olimpik. Në fakt, të shtunën në Prishtinë është mbajtur mbledhja e Kuvendit themelues dhe Zgjedhor i Federatës së Lundrimit të Kosovës.
Në këtë mbledhje është miratuar statuti i kësaj Federate, organet e saj dhe rregullorja e punës. Më pas, Komiteti Ekzekutiv i kësaj Federate, nën drejtimin e kryetarit Rilind Reka, e ka mbajtur mbledhjen e parë në të cilën janë marrë disa vendime që konsiderohen si shumë të rëndësishme për funksionalizimin dhe zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.
Formimi i kësaj Federate mendohet se do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON). Kjo pasi Federata e Lundrimit e Kosovës, në dallim prej disa Federatave tjera kosovare, mendohet se e ka më të lehtë të anëtarësohet në Federatën Botërore të Lundrimit.
Në këtë mënyrë, Kosova do t’i ofrohej plotësimit të kushtit teknik për t’i hapur rrugë vetes që të aplikojë për anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kjo do të thotë se në momentin kur pesë Federata olimpike të Kosovës anëtarësohen në federatat përkatëse ndërkombëtare, atëherë edhe KOK-u do të mund ta kërkonte anëtarësimin në KON.
Federata e Pingpongut e Kosovës, ajo e Peshëngritjes dhe Shigjetarisë janë tri Federatat e vetme kosovare të cilat deri më tani janë anëtarësuar me të drejta të plota në Federatat përkatëse ndërkombëtare.