E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet barrikada në Banjskë

Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 16:29

(E plotësuar) Trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë njoftuar se pas ndalimit të disa kamionëve që po tentonin nga Serbia të hynin ilegalisht në Kosovë, situata e sigurisë në veri është e qetë dhe stabile, ndërkohë që serbët kanë hequr barrikadën e vendosur mbrëmë në fshatin Banjskë.

Tre kamionë me karburant që vinin nga Serbia, të cilët u munduan të kalojnë përmes rrugëve alternative janë ndaluar që të hyjnë në Kosovë nga ana e KFOR-it dhe kamionët janë kthyer për në Serbi, thuhet në komunikatë.

Gjatë kësaj kohe, serbët e veriut të Kosovës mbyllën bllokadat e rrugëve në Banjskë në rrugën “Rimbeaud” dhe penguan konvojet e KFOR-it që të arrijnë në vijën e kufirit.

Njësitë e KFOR-it në anën tjetër izoluan këtë rrugë në mes të këtyre bllokadave të rrugëve në Banjskë, si dhe rrugën lidhëse me magjistralen Mitrovicë-Zveçan-Leposaviq, në lindje të Banjskës, ndërkohë që të dielën pasdite shtabi i përgjithshëm i KFOR-it është informuar që barrikadat në Banjskë janë larguar nga serbët lokalë.

Me qëllim të ofrimit të mjedisit të qetë dhe të sigurt në këtë zonë, dhe me qëllim që të ndihmojë në zbatimin e rregulloreve të UNMIK-ut, KFOR-i zotohet se do të vazhdojë të mbajë rrugën të mbyllur për automjetet me mallra komerciale si dhe për kamionë për arsye të sigurisë.

KFOR-i është i gatshëm që të mbrojë mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe të përballet me çfarëdo situate, përfundon komunikata.

Nuk heqin barrikadat në Banjskë

Situata në Banjskë afër Zveçanit, ku serbët lokalë kanë vendosur mbrëmë barrikada, mbetet e pandryshuar.

Kryetari paralel i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ka thënë se afër Banjskës mbretëron ‘status quo’ pasi që KFOR-i nuk dëshiron të tërhiqet nga pikëkontrolli i vendosur mbrëmë dhe të mundësojë qarkullimin e kamionëve që vijnë ilegalisht nga drejtimi i Novi Pazarit.

Ndërkaq, i ashtuquajturi kryeshef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, pas bisedimeve me përfaqësues të KFOR-it, ka thënë se qytetarët janë të vendosur të qëndrojnë në këtë vend duke protestuar qetë deri në realizimin e kërkesave të tyre, përkatësisht derisa ky pikëkontroll në fshatin Izvor afër Banjskës i vendosur mbrëmë nga ushtarët e KFOR-it të largohet menjëherë, si dhe pikat kufitare në veri të mos jenë të bllokuara.

Në anën tjetër, KFOR-i akoma mban të bllokuar një ndër rrugët alternative dhe kryesore të frekuentuara nga kontrabandistët dhe nuk lejon qarkullimin e asnjë automjeti në këtë drejtim, ndërkohë që ka shtuar prezencën e ushtarëve të vetë në këtë vend, duke sjellë ata me helikopterë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›