Bylisi tenton surprizën, por Bala e sfumon dhe Tirana merr kreun
Bardheblutë rikthehen te fitorja në kampionat ,duke mundur ballshiotët që ndëshkohen sërish në fund. Bala heroi i takimit me tri gola
TIRANA BYLIS 3-2
Komenti
Tirana rikthehet te fitorja në kampionat pas një brazimi një javë më parë në Shkodër. Dje, kryeqytetasit fituan me rezultatin 3-2 ndaj Bylisit, edhe pse duhet theksuar se e kanë pasur të vështirë. Bardheblutë kanë bërë presion në minutat e fundit, derisa kanë gjetur golin me Balën, i cili ka realizuar tripletë.
Bylisi edhe dje nuk ka qenë me fat në minutën e fundit, ashtu siç u ka ndodhur edhe në Durrës pak javë më pare, kur u iku pika nga duart, ndërsa trajneri Shensoi, nuk ka mbetur fort i kënaqur nga lojtarët e tij, të cilët nuk duhet të mendonin se kishin marrë pikë para kohe. Tirana fiton dhe vazhdon të mos njohë humbje në pesë javët e fundit.
Pjesa e parë
Tirana luan me një skemë 4-1-4-1, fillimisht kur Dabulla aktivizohet në të djathtë në vend të Sinës, ndërsa Ferraj e nis nga stoli. Kurse në sulm Balaj luan pykë i mbështetur nga Duro, Lika e Morina. Kurse ballshiotët luajnë në formë rombi në pjesën e parë dhe duket se Shensoi ja ka dalë. Dimo pasi përfiton nga hezitimi i mbrojtësve bardheblu me kokë kalon Bylisin në avantazh.
Mirëpo pas pesë minutave, bardheblutë, me një gol të bukur të Balës, barazojnë shifrat. Ndeshja hapet dhe bëhet akoma më e bukur. Të dy ekipet sulmojnë portat e njëra-tjetrës, ndërsa bardheblutë i afrohen më shumë portë së Frashërit. Mirëpo Tirana në pjesën e parë, krijon raste pa fund, por nuk i konkretizon ato siç duhet.
Pjesa e dytë
Rubio e nis me një zëvendësim taktik, largon Dabullën dhe aktivizon Heplesin, sepse nuk e kënaq barazimi. Në një kombinim perfekt mes Duros që kroson te Bala, ky ka dyfishuar shifrat. Ofensiva e Tiranës rritet, por ballshiotët duan të ndëshkojnë kryeqytetasit. Në një aksion pa pretendime, Dimo i shpëton mbulimit të mbrojtësve të Tiranës hyn në zonë, aty Taku përpiqet që ti largojë topin dhe Dimo rrëzohet, ndërsa Çekaj akordon penallti, të cilën e kthen në gol vetë Dimo, duke barazur shifrat përkohësisht.
Shensoi kërkon që të marrë pikë dhe freskon skuadrën. Lënë fushën Soza, Gega dhe Uashington dhe aktivizohen Abazaj, Popoviç dhe Korreshi. Kurse Rubio nxjerr G. Likën dhe në vend të tij aktivizon Tushen. Tirana hidhet e gjitha në sulm, ndërsa Bylisi mbrohet me kujdes dhe kërkon me daljet e Abazajt dhe Xhafës që të ndëshkojë Tiranën. Mirëpo ballshiotët kujtojnë se e fituan ndeshjen, ndërsa në minutat shtesë harrojnë Balën në zonë, i cili me goditjen e tij në rrëmujë, ka shënuar golin e tretë të ndeshjes dhe personal, duke i dhënë fitoren Tiranës.
Rubio: Treguam dinjitet përballë një Bylisi të fortë
Një fitore e mundimshme, por me shumë vlera. Sa herë që fitohet, është shumë e rëndësishme ashtu edhe kur humbet. Ekipi im ka shumë dinjitet, këtë vazhdoj ta them me bindje. Krijuam shumë raste dhe shpërdoruam njëkohësisht, por më e rëndësishme është që ne luajmë shumë mirë. Ka ndodhur që në kthejmë rezultatin ashtu siç ka ndodhur në Krujë, Shkodër dhe ndaj Bylisit dhe kjo është një meritë e madhe e lojtarëve. Unë skam fare meritë.
Lojtarët e mi e kanë kuptuar shumë mirë mesazhin, kanë një stemë që e mbrojnë me shumë krenari dhe për këtë jam dinjitoz. Bala tre gola? Ka bërë vetëm detyrën, ai pa dyshim që duhet vlerësuar për golat që ka bërë dhe është një sulmues shumë i mirë. E dua shumë, shkoj shumë mirë me të, por nuk e kam zakon të flas në mënyrë individuelë dhe të ndaj meritat. Unë flas për gjithë skuadrën.
Për sa i përket Morinës, them se ka luajtur mirë, është përpjekur që të rrezikojë gjatë gjithë lojës kundërshtarin, nuk mendoj ta ul në stol, ai punoi shumë për ekipin dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Lojtarët i kanë të ndara detyrat, ato që bëjnë në fushë janë të ndryshme. Ndërrimi i Dabullës ishte për të forcuar sulmin. Doja ta hapja skuadrën kundërshtarë në fushë, sepse duke bërë një gjë të tillë, do të ishte më e lehtë për ne që të gjenim rrugën e rrjetës.
Por edhe ne trajnerët gabojmë ndonjëherë, sepse gjërat nuk bëhen me kompjuter. Kurse Bylisit i bëj komplimente, sepse e bën shumë mirë detyrën e tij. Unë e pashë edhe me Teutën. Jashtë fushe ai të krijon probleme dhe mbrohet shumë mirë. Më vjen mirë që sot takova për herë të parë edhe kryebashkiakun, z. Basha.
Shensoj: Tirana, më e mira. Për momentin sdorëhiqem
Asgjë nuk është rastësi, ka shumë ndeshje që në botën e futbollit humben në sekondat e fundit dhe nuk është vetëm aksident. Lojtarët e mi vetëm me trup kanë qenë në fushë, sepse mendërisht kanë qenë në dushe duke gëzuar, një mentalitet i gabuar i tyre. E vlerësoj Tiranën, por më shumë kolegun tim spanjoll, i cili gjatë gjithë javës e ka quajtur një ndeshje të rëndësishme. Vetëm ai e ka ditur më shumë se kushdo rëndësinë e skuadrës sime. I uroj suksese.
Nuk ishte një ndeshje shumë e bukur, por taktikisht e rëndë, pavarësisht se pati pesë gola. Tirana, me aq sa e kam parë, është skuadra më e mirë dhe e denjë për titullin. I ka të gjitha, mbështetjen nga drejtuesit, kualitetet, por ka guxim dhe përballet me dinjitet edhe në transferta, siç ndodhi në Shkoder. Lojtarët e mi luajtën si në dasmë, edhe pse përballë patën një Tiranë me kualitete, si Duro, Lika, Pisha, Bala etj.
Edhe gjyqtarët na kanë ndëshkuar, megjithëse nuk e kam zakon të merrem me ta. Tashmë ata janë bërë përcaktues ndaj nesh, ashtu siç ndodhi me Kastriotin. Kurse gjyqtarin e ndeshjes me Tiranën se njoh fare, por i uroj suksese. Sepse nuk bëri si disa kolegët e tij, që japin 2 % apo 5%. Futbolli sështë marketing, ndaj gjyqtari duhet të shkojë në ndeshje dhe të gjykojë drejt, kaq ka për detyrë.
Nuk e mendoj dorëheqjen momentalisht, kam marrëdhënie shumë të mira me presidentin dhe kam ardhur këtu sepse më pëlqen futbolli shqiptar, madje gjatë kësaj periudhe kam pasur edhe oferta të tjera. Unë dua të bëj diçka të mirë te Bylisi. Shqipëria është shteti i pestë që punoj. Nëse shoh që gjërat nuk shkojnë, largohem vetë.
