E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, fitorja minimale nuk mjafton

Partizani humbet në "Roza Haxhiu" me Lushnjën, por eviton rënien direkte nga Kategoria Superiore. "Lagunarëve" të drejtuar nga trajneri Ilir Gjyka, nuk i ka mjaftuar goli i shënuar nga Sekseni në fundin e pjesës së parë dhe bëhen skuadra e dytë pas Elbasanit që i japin lamtumirën aktivitetit elitar në vend. Vendasit kanë tentuar me të gjitha mënyrat që të fitojnë me dy gola diferencë, por rreshtimi i mirë i të kuqve në mbrojtje dhe kualiteti i portierit Orges Shehi kanë dhënë rezultatet që tekniku Shpëtim Duro kërkonte. Në fraksionin e parë të lojës Arbri, Bubeqi e lojtarët e tjerë lushnjarë janë përballur me murin e miqve, ndërsa në pjesën e dytë forcat e tyre kanë ardhur drejt shterimit dhe episodet sporadike nuk kanë mjaftuar për të gjetur golin e dytë, që përkthehej ndryshe shpresë për të mbijetuar. Në fërshëllimën finale të gjyqtarit maqedonas Aleksandër Stavrev, është Partizani që feston së bashku me disa dhjetëra tifozë që kishin shoqëruar ekipin në transfertën më të rëndësishme të sezonit. Kryeqytetasit e mbyllin edicionin në vendin e dhjetë dhe tashmë do të luajnë "duelin" final në "play-out". Kundërshtari i tyre është Kastrioti, skuadra e renditur e treta në Kategorinë e Parë: fituesja e përballjes do të jetë pjesë e Superiores në sezonin e ardhshëm. Krejt e kundërt tabloja në kampin lushnjar, ku vendasit kanë etiketuar "bilbilin" e huaj si shkaktar të humbjes. Të parët që janë vërsulur drejt arbitrit ishin lojtarët dhe për të qetësuar situatën është dashur ndërhyrja e forcave të rendit. Situata është përkeqësuar kur Stavrev dhe asistentët e tij u shoqëruan drejt dhomave të zhveshjes. Gurë, shishe dhe mjaft sende të forta janë hedhur në drejtim të treshes maqedonase, që për fat të mirë ka shpëtuar pa lëndime. Një shfaqje dhune e pajustifikuar, edhe sepse gjykimi ishte në nivele mjaft të larta, e cila bëhet e dyta e këtij sezoni me "xhaketa të zeza" joshqiptarë, pas ngjarjeve të Peqinit. Kundër gjyqtarëve dhe FSHF-së është pozicionuar edhe trajneri Gjyla, i cili akuzoi "qeverinë" e futbollit se ishte shkaktarja për rënien e Lushnjës në Kategorinë e Parë.

Elbasani fiton 3-2 me Teutën, por fati i verdhebluve ishte vendosur edhe pa këtë rezultat. Ish-kampionët e Shqipërisë përpara tri sezoneve janë bërë viktimë e tolerimeve të javëve të fundit dhe tashmë e shohin veten një kategori më poshtë. Në "Ruzhdi Bizhuta" është luajtur një ndeshje që më shumë kishte aromën e kampionateve të moshave, ku i vetmi i "fituar" është talenti durrsak, Emiliano Vila, që me dy rrjetat e djeshme e ka mbyllur sezonin në kuotën e 15 golave. Rezultate të parashikueshme në Fier dhe Ballsh, ku Apolonia dhe Bylis arrijnë fitore të tjera të lehta. Bardhjeshilët mposhtin 3-1 Shkumbinin dhe sigurojnë qëndrimin direkt në Superiore. Një rezultat i jashtëzakonshëm, duke qenë se vetëm dy ndeshje nga fundi i sezonit fierakët qëndronin me një këmbë në Kategorinë e Parë. Meto, Dhrami dhe Çerçizi ishin heronjtë e skuadrës së drejtuar nga tekniku serb Karishik. Ndërkohë, Bylisi feston një tjetër "dhuratë", ku këtë radhë bamirësja ishte Dinamo. Takimi në "Ali Adushi" përfundon me fitoren 3-0 në favor të vendasve: tri pikë me të cilat skuadra e Gert Haxhiut eviton rënien direkte nga Superiorja. Me këtë rezultat ballshiotët e mbyllin kampionatin në vendin e nëntë dhe në fundjavë do të luajnë sfidën "play-out" me Gramozin. Në takimin tjetër të kësaj jave, Flamurtari mposht 4-0 Besën, me dygolëshin e Shehajt dhe rrjetat e Rustemit e Brajkoviç, në duelin për vendin e gjashtë në klasifikimin e përgjithshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›