E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londra, qyteti që ka humbur shkëlqimin

"The fat duck" është bërë një nga simbolet e pasurisë së Londrës, kryeqyteti financiar dhe kulturor i botës në dhjetë vitet e fundit dhe protagonist i një bumi planetar që dukej se ishte i destinuar për të zgjatur përjetësisht. Miliarderë të vjetër e të rinj vinin nga i gjithë planeti që të jetonin në kryeqytetin britanik. Pasi u kalonte dëshira për të blerë "Ferrari", "Bentley" dhe shtëpi luksoze, harxhonin shumë për shampanjë, gatime dhe akullore në restorantin më të famshëm të historisë britanike. Por, sot Londra është një qytet në vështirësi. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Britania e Madhe është vendi më i zhvilluar, me perspektivat ekonomike më të këqija. Një nga simbolet e kësaj krize është pikërisht lokali i

Heston Blumenthal. Pas një "helmimi" që mes janarit dhe shkurtit preku me qindra klientë, "The fat duck" ishte i detyruar të mbyllej për disa javë. Pikërisht e njëjta gjë që po u ndodh sot dyqaneve të tjerë, restoranteve dhe ndërmarrjeve të kryeqytetit britanik, ku dhe entuziazmi duket se është në rrugën e zhdukjes. Në Londër, të gjithë janë të shqetësuar, por sektori me probleme më të mëdha është ai financiar, që dikur ka qenë burimi i parë i pasurimit të qytetit, motori që krijoi një pafundësi vendesh pune për avokatë, këshilltarë, agjentë imobiliarë dhe kuzhinierë, të cilët shpesh i ka çuar drejt fitimit të një sasie të madhe parash në mënyrë pak transparente dhe të papërgjegjshme. Të rinjtë, jo më shumë se 25 vjeç, që punonin në bankë, arrinin të blinin një "Aston Martin", ose shtëpi miliona sterlinëshe falë bonuseve vjetore; ndërsa menaxherët e nivelit të mesëm, me moshë nga 35-40 vjeç dhe fitime prej 200 mijë sterlinash në vit, shpesh bënin shpenzime shumë milionëshe. Sa më shumë para rrezikonin, aq më shumë fitonin. Klima e besimit ishte aq e përhapur, sa huatë jepeshin pa asnjë problem. Të gjithë mendonin se ishin të pasur dhe shpenzonin më shumë se sa mundnin. Roman Ziurutuza, një konsulent financiar spanjoll, që prej dhjetë vjetësh jeton në Londër, shpjegon se gabimi i shumë bankierëve ishte mbivlerësimi i aftësisë së tyre për të bërë para. "Të bindur se bonuset i kishin të garantuara për gjithë jetën, kanë shpenzuar dhe marrë hua të mëdha për makina, shtëpi, shkolla private të fëmijëve. Nga ana tjetër, meshkujt kanë tendencën të mendojnë se e tashmja do të zgjasë pafundësisht. Pikërisht kjo dobësi na zhyti në kaosin ku jemi sot. Në asnjë qytet tjetër këto gabime nuk kanë peshuar si në Londër".

"Fantazmat" e "Canary Wharf"

Nëpër gjithë qytetin ndihet frika dhe ankthi. "Kur erdha këtu, Londra ishte qendra e universit, vendi ku gjithçka ishte e mundur", kujton amerikani Robert Tylor, drejtor i përgjithshëm i bankës "KleinWort Benson". "Sot, të gjithë jetojmë me frikën se do të largohemi nga puna. Në rastet më të mira, ëndrrat për të ardhmen janë ridimensionuar. Bonuset nuk janë më dhe ata njerëz që deri pak kohë më parë e quanin veten të pasur, nuk kanë më mundësi për të paguar huatë. Kujt kishte vendosur se do të pasurohej, do të ndalonte së punuari dhe do të shkonte të jetonte në një vilë në brigjet spanjolle, iu desh të ndryshonte ide". Zyra e Taylor është në kompleksin madhështor të grataçielave prej xhami të "Canary Wharf", ndërtuar këto 20 vitet e fundit për të kënaqur kërkesat për hapësirë në botën e financave. Nga fundi i viteve ‘80, numri i bankave ndërkombëtare të pranishme në Londër është rritur nga 73 në 479. Nga pikëpamja e fitimeve, Nju Jorku ka qenë pothuajse në një hap me Londrën, ndërsa për sa u përket perspektivave globale në 20 vitet e fundit, Londra nuk ka pasur rivalë. Për pozitën e saj gjeografike, për gjuhën, për sistemin ligjor perfekt, për biznesin dhe traditën e saj mijëvjeçare në biznes, Londra u bë qendra kryesore e financës botërore. Bashkë me paranë, aty erdhi edhe arti, moda, muzika, arkitektura. Norman Foster dhe Richard Rogers, dy arkitektët e mëdhenj britanikë, patën mundësinë të ndryshonin tërësisht topografinë e qytetit. Manhatani në miniaturë i "Canary Wharf" është shembulli më i dukshëm i këtij shndërrimi shumë të shtrenjtë, i paimagjinueshëm për çdo metropol tjetër evropian. Megjithatë, sot kjo zonë duket paksa e vdekur dhe pa ngjyra. Ndërtesat më të larta, si ato të "Citigroup", kanë mbetur gjysmë boshe pas pushimeve nga puna të muajve të fundit. Në mesditë, në rrugë nuk takon askënd. Taksitë që deri disa muaj më parë prisnin pasagjerët pa bërë asnjë minutë pushim, tani formojnë radhë të gjata më shumë se 200 metra. Tregojnë se puna ka rënë me më shumë se 30 për qind. Në kafen "Carluccio‘s", një analiste bankare amerikane tregon se klientët e paktë në numër rreth saj janë të gjithë bankierë. Disa e kanë vendin, por nuk kanë me se të merren, ndërsa të tjerët janë të papunë. Nga tetë persona në zyrën e saj pak muaj më parë, amerikania është e vetmja që ka mbijetuar. E pasigurt për të ardhmen e saj dhe atë të burrit, po mendon të ndjekë shembullin e shumë të huajve: të shesë gjithçka dhe të transferohet në një vend më ekonomik dhe më pak stresues; ose në rastin më të keq, të kthehet për të jetuar me prindërit. Gjëja e parë që duhet të bëjë është të heqë fëmijët nga shkolla private, një shqetësim që disa muaj më parë as që ekzistonte, ndërsa sot është shumë i përhapur mes borgjezisë londineze. Për shkak të inflacionit të lartë nga kriza, shpjegon Roman Zurutuza, pagesa e kopshtit privat për të bijën kushton më shumë se një master për administrim ndërmarrjesh.

Fundi i një ëndrre

Te "Carluccio‘s", atmosfera është 100 herë më mirë krahasuar me "Sumosan", një restorant aziatik në "Mayfair", lagjja më e pasur në qendër të Londrës. Një vit më parë, për të prenotuar një tavolinë aty ishte shumë e vështirë. Sot, lokali është pothuajse bosh. Klientët më të rregullt ishin ata që e konsideronin veten të pasur. "Kriza ka provokuar edhe shumë divorce, sidomos në çiftet ku burri punonte në financë dhe ishte i bindur se do të fitonte sa një futbollist i ‘Premier Leagues‘-s për gjithë jetën. Shpesh, kur kanë parë se jeta nuk u ka shkuar siç kishin menduar, gratë janë larguar të parat". Divorci mes sektorit financiar dhe pjesës tjetër të kryeqytetit e ka privuar Londrën nga gjallëria e saj. Për ta kuptuar, mjafton të bësh një xhiro në "Mayfair". Në "Picadilly street", ku shumë dyqane nxjerrin shpallje për ulje çmimesh dhe likuidime, fabrika e famshme e porcelanit, "Wedgwood", prej kohësh u ka vënë drynin dyerve. "Princes arkade", një rrugë këmbësorësh për shopping luksoz, ofron një panoramë të trishtuar: gjysma e dyqaneve janë të mbyllura. Në elegantin "Just james" tashmë ofrohet për drekë një meny ekonomike prej 8.85 sterlinash. Oferta të tilla, të paimagjinueshme pak kohë më parë, janë gjithmonë e më të shpeshta. E njëjta atmosferë ndeshet edhe në zonat e banuara nga shtresa e mesme e shoqërisë londineze. Në "Shepherd Bush", për shembull, gjysma e restoranteve muajt e fundit janë mbyllur. Lind pyetja: A do të mundet sërish Londra të jetë kryeqyteti i Evropës, ose më mirë i botës? Bankierët dhe biznesmenët mendojnë se po, edhe pse do të duhen disa vite. Talenti, eksperienca dhe energjia e qytetit do ta nxjerrin padyshim nga kriza dhe do t‘i rikthejnë vendin që meriton.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›