E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Tanit, krijuesit të një perandorie mediatike

Mars 1991. Komunizmi ishte rrëzuar në Shqipëri, por kufiri për në Perëndim ishte sërish fizikisht i mbyllur. Mijëra shqiptarë rrëmbyen anijet dhe nisen drejt një jete, që e njihnin pak ose aspak. Mes tyre edhe Dritan Hoxha, djali i vetëm i familjes, i cili ndërpreu studimet e larta në degën mjekësi, për t‘u hedhur përtej detit, aty ku valët televizive të ëndrrës së tij vërtet ekzistonin në botën e lirë, në botën që çdo natë shikonte fshehurazi me shpikjet e tij të para teknologjike. Televizionet e huaja në Shqipëri kishin ndërtuar imagjinatën për Perëndimin dhe toka më e afërt perëndimore ishte vendi fqinj, Italia. Shumë vjet më vonë, në një intervistë të vitit 2002 dhënë kanalit televiziv "Rai 2", Dritan Hoxha zbuloi pikërisht atë që mendonin shumë prej shqiptarëve kur zbritën në Itali me anije në mars të ‘91:

"Është e vërtetë. Unë besoj se, duke parë televizionet italiane dikur, shumë shqiptarë që kanë shkuar në Itali mendonin se atje, edhe pa bërë asgjë, edhe mund të gjeje gjithçka. Pastaj e kuptuan… Dhe unë e kuptova që ditën e parë që shkela në Itali. Dhe ne duhet të punojmë. Do, s‘do, duhet të punosh për të ecur përpara. Në fakt, tani njerëzit janë më të ndërgjegjshëm për ç‘ka ndodh".

Dritan Hoxha preku Perëndimin evropian, aty ku kishte pasionin e tij për elektronikën. Jo rastësisht puna e tij e parë në emigrim, ishte në një fabrikë që prodhonte pajisje elektronike për videogame. Por kthehet shpejt. Viti 1993 e gjeti në Shqipëri, ku filloi biznesin e tij të parë, atë të lojërave ‘video game‘, deri në momentin kur vendosi të hapë një tjetër biznes, atë të kafesë, së cilës i shkroi me sukses dhe dashuri emrin e fëmijës së tij të parë. E quajti Lori Kafe.

Biznesi i tij i kafesë ishte një biznes që ecte në mënyrë të natyrshme, në një vend ku intuita e tij gjeniale, i tha se dita nis detyrimisht me kafe për shumicën e shqiptarëve, ku tregjet ishin të virgjëra, ku konkurrenca ishte thuajse e dobët dhe ku për më shumë, mënyra e menaxhimit të bizneseve ishte në pikën 0. Shumë pak njerëz, në vitet e para të demokracisë në Shqipëri, kishin guxim për sipërmarrje të lirë, për mungesa financiare dhe njohurish, pasi edhe sikur të kishin, para që kryesisht fitoheshin në emigracion, mungonin njohuritë në administrimin e investimeve.

Biznesi më i suksesshëm atëkohë në Shqipëri ishin kioskat. Tani, siç e thërrisnin miqtë, shokët, kishte aftësi menaxhuese të rralla, ishte pasionant dhe bindës edhe për idetë që në dukje shfaqeshin të çmendura. Por sërish nuk ndjehej mirë edhe pse ishte i suksesshëm. Ai nuk donte të kishte thjesht ca para si shumë të tjerë. Ai donte e ishte i vetëm në llojin e tij të të bërit biznes. Ndaj, shpejt i kthehet ëndrrës së rinisë. Kështu lindi radioja private në Shqipëri.

Dritan Hoxha gjeti vitin më të vështirë për të menduar, vitin 1997, kur e gjithë Shqipëria ishte përfshirë në kaos pas rënies së skemave piramidale, që e hodhën shtetin dhe shqiptarët në rënie të lirë. Atëherë kur bizneset po largonin paratë dhe familjarët nga Shqipëria, Tani vendosi të investojë në ngritjen e një radioje. Ndërkaq, paralelisht me bizneset e tij, ngrihej edhe familja e tij biologjike. Vajza e tretë, Redia lindi pikërisht ditën kur lindi edhe "Top Albania Radio", më 14 shkurt 1998.

"Top Albania Radio" mori licencën e parë kombëtare për radiot private, duke hedhur brenda një viti një hap të rëndësishëm në suksesin e saj të padiskutueshëm. Sinjali i saj mbulonte 95% të territorit të vendit, kur radioja shtetërore 60-vjeçare mbulonte vetëm 75%. Kjo radio transmetonte rreth 19 edicione informative flesh dhe muzikë bashkohore. Ajo iu imponua të gjitha moshave, për një arsye të thjeshtë: të rinjtë e gjenin veten aty, ndërsa të moshuarit, sepse donin të ndjeheshin të rinj.

Por Tani e konsideroi Radion dashurinë e parë të ëndrrës së tij të vjetër. Tashmë kishte prekur fillin e një suksesi, që do të ngacmonte tek ai, në mënyrë të vazhdueshme, vetëm ide dhe risi. Tani kishte gjetur veten: "Ia arrita asaj që desha"! Biznes i ri me njerëz të rinj për një ëndërr të re drejt realizimit. Mosha mesatare e stafit të "Top Albania Radio" ishte vetëm 20 vjeç. Ndoshta për këtë arsye, ai ndaloi gjithë stafin ta thërrisnin shef, bos apo pronar. Ai ishte thjesht Tani për ta, i cili shpeshherë i thërriste në mbledhje të befasishme, dhe kur të gjithë prisnin vërejtje apo diçka tjetër, ai i ftonte në festë. Donte të ndante me ta, jo vetëm punën, por edhe suksesin.

Pas tri vitesh, idetë për radion ishin shtuar, por dhe reflektimi ndaj kritikave të dëgjuesve. Në radio duhej kënduar më shumë shqip, ndërkohë që "Top Albania Radio" prekte tashmë, me sinjalin e saj, gjithë hapësirën shqipfolëse në Ballkan. Dhe i gjithë ky sukses, pa asnjë reklamë shtetërore apo lidhje politike.

Për shkak të këtij zhvillimi teknologjik, i vetmi në Shqipëri, por i paprecedentë edhe për vendet e Ballkanit dhe ato perëndimore, "Top Albania Radio" u bë stacioni i parë i vizitorëve të veçantë në Shqipëri.

Pasionant, inkurajues, Tani i prekte vetë i pari sukseset, dhe për këtë arsye, kishte zgjedhur një mënyrë jo të zakonshme të punuari. Të paktën në Shqipëri, punonte në ekip dhe besonte tek ky ekip. Ai rrinte gjithnjë pas kuintave, jo për të kontrolluar, por për t‘u ndjerë pjesë e ekipit.

Tani kishte prekur një sukses të fortë me "Top Albania Radio". Kjo ishte udha e hekurt, ku nuk do të kalonte më një tren me avull, por një ‘ekspres‘ i shpejtësisë së lartë. Kjo shpejtësi do ta çonte herët në stacionin e dytë të ëndrrës së tij të madhe, stacionin ku ai do të ndalej më gjatë dhe punonte më fort. Në qershor të vitit 2001, hodhi me mjaft guxim idenë e hapjes së televizionit, i cili ngjalli që në ide kureshtjen dhe etjen për ta parë, ende pa lindur. Dhe "Top Channel" nuk i zhgënjeu pritshmëritë. Terreni i televizioneve privatë deri në atë kohë ishte krijuar pas ‘97-ës dhe tashmë kishte dy kombëtare dhe disa lokale. Dritan Hoxha i qëndroi tundimit dhe ofertave për t‘u bërë pjesë e televizioneve ekzistuese, pasi ëndrra e tij ishte e përmasave të tjera. Ai kishte zgjedhur pikën e tij të fortë: "Në tekonologji ne duhet të jemi 10, 20, 50 herë më të përparuar se televizionet e tjera në Shqipëri. Nëse ne do të dalim keq në lajme, atëherë do të thotë se kemi humbur shumë pikë. Aty duhet investuar shumë. Në këtë pikë do të dalim fort. Do të ngremë disa pika montazhi që të mos kenë përplasje gazetarët"...

Modeli që kërkonte Tani ishte një televizion krejt ndryshe. Me gjenialitetin e krijuesit, përzihej nuhatja e biznesmenit të natyrshëm dhe kështu kërkonte triumfin, duke sulmuar pikën më të dobët të tregut. Tek televizionet ajo ishte teknologjia. Synimi ishte i qartë: Për të qenë i pari: Nëse dikush thotë që s‘më pëlqen ‘Top Albania‘, por është më e mira, atëherë këtu dua edhe unë. Le të thonë: S‘na pëlqen ‘Top Channel‘, por është më i miri".

Tani e dinte se çfarë po ndodhte, ndonëse rrethohej me një mjegullnajë dyshimi. Tregu radioteleviziv në vitin 2001 ishte larg asaj që mendonte ai. Përveç të tjerave, atij i duhej të ndeshej edhe me skepticizmin e shumë vëzhguesve, të cilët nuk e kuptonin vizionin e Tanit, dhe me të cilët Tani nuk lodhej t‘u shpjegonte vizionin e tij. Por Dritan Hoxha do t‘i zhgënjente skeptikët. Paralelisht me karakterin impulsiv dhe vullkanik, Tani kishte një vetëpërmbajtje të habitshme kur bëhej fjalë për të përcaktuar kohën e duhur të nisjes. Ai dinte të priste, të mos nxitonte, madje këtë e shikonte si pjesë të rëndësishme të suksesit të garantuar.

Lindja e "Top Channel" tek Tani ishte si ëndërr në sirtar, e shumë viteve më parë, atëherë kur njerëzit ende shikonin në ekran vetëm bardhë e zi, sukseset e komunizmit, Herkulin apo Pitkinin. Rreziqet e ëndrrës së Dritan Hoxhës për një televizion të përmasave moderne ishin dy dhe të dyja lidheshin me mungesën e modelit. E para, "Top Channel" nisi të formohej në një kohë kur fluksi i informacionit për botën moderne hynte pa doganë dhe magazinohej pa inventar në mediat aktuale shqiptare. Rreziku i dytë ishte se, në mungesë të ofertës vendase, shqiptarët ndiqnin me pasion televizionet e huaja. Për Dritan Hoxhën, referenca ishte e qartë, por përballej me patriotizmin e tij të çmendur, për të krijuar një model të suksesshëm shqiptar. Kjo ishte arsyeja që Ai preku vetë çdo pjesë të fillimit. Në këtë moment ai rrezatonte për stafin, që po ndeshej me ankthin e së panjohurës, vetëm paqe dhe siguri.

Tani, për ëndrrat dhe dëshirat e tij, nuk urdhëronte të tjerët, punonte vetë dhe të tjerët e ndiqnin. Ai kishte koncepte të qarta dhe punonte njësoj si ata që kishte punësuar. "Top Channel" lindi më 19 dhjetor zyrtarisht, me edicionin e parë të lajmeve. Teknologjia ishte befasuese, ndërsa Tani ishte aty duke pritur lindjen e bebes së tij perfekte. "Top Channel" duhej të ishte i pari dhe të vendoste rregull në një treg të deformuar mediatik, ku politika kishte lënë gjurmët e veta. Tani e shikonte suksesin, duke e vënë televizionin në shërbim të njerëzve, sepse aty ai shikonte pushtetin e televizionit: "Është i vetmi televizon që thotë atë që mendojnë njerëzit".

Tani ishte një drejtues i rreptë në punë, por nuk harronte të ndante suksesin me stafin.

Në një shtet dhe shoqëri të deformuar nga raportet e sëmura me politikën, "Top Channel" krijoi institucionin e besimit. Por Shqipëria vazhdonte të vuante, jo vetëm nga moszbatimi i ligjeve por dhe nga mungesa e tyre. Politika ndiqte një lojë të rrezikshme ndaj mediave. Nëse në fillimet e demokracisë i dogji, pas vitit 2000 kish kuptuar vlerën e tyre, kërkoi t‘i vinte në shërbim të vetes, në forma të reja, duke i blerë apo kërcënuar financiarisht, ose duke i lënë në mëshirën e ligjeve gjysmake asnjëherë të mjaftueshme për zhvillim. "Të mos krijohet konfuzion para zgjedhjeve që një parti do të mbrojë një televizon për arsyet që dimë, apo një parti një tjetër. "Top Channel" do të zbatojë, se ne jemi nga partizanët e realizimit të këtij ligji".

Tani, ose tashmë Presidenti i "Top Channel" bëhet iniciator dhe bashkë me 4 drejtues të televizioneve të tjera, kërkojnë në Maj të vitit 2003, ndalimin me ligj të piraterisë në televizone. Ai, që këtej e tutje do të njihej si Tani i Topit, nuk e shkelte ligjin, ai e kërkonte atë. Arriti t‘i imponohej politikës, duke kërkuar të ndalohet vjedhja në media dhe sanksione për mediat që piratojnë. Por politika vazhdonte të bënte lojën e saj të mbështetjes gjoja të medias, duke vendosur të lejojë disa media të piratojnë deri në një kohë të caktuar dhe të ndalojë disa të tjera të piratojnë, praktikisht një ligj xhungle dhe aspak funksional, siç ndodh rëndom në Shqipëri. Këtë raport të deformuar, Dritan Hoxha nuk e kuptoi dhe nuk e pranoi kurrë.

"Top Channel", si zëri i të vërtetës dhe i njerëzve të thjeshtë, u rrit shumë. Shenjë e kësaj ishin goditjet e para që filloi të merrte nga politika. Po ato nuk bënin asgjë tjetër, veçse nxisnin shpejtësinë e zhvillimit. Politika filloi hakmarrjen, duke e shfaqur në mënyra të ndryshme: fillimisht me heshtjen. Në asnjë rast ajo nuk i parapriu këtij zhvillimi me ligje. Kujdesej më shumë për repetitorët që përcillnin sinjalin e televizioneve të huaja fqinje se sa për zhvillimin mediatik vendas.

E ndërsa "Top Channel" rriste shpejtësinë, politika vendoste shkopinjtë nën rrota. Themeluesi i "Top Medias", tashmë u ndërgjegjësua se ai po ecte më shpejt se shteti, por për këtë nuk ndjehej aspak fajtor. Kishte dalë në ring dhe i duhej të rriste fuqinë goditëse, si gjithmonë duke gjetur pikën e dobët të kundërshtarëve. Kishte projektuar suksesin e rradhës, me një teknologji që e renditi Shqipërinë të dytën në botë: Platformën dixhitale. Sigurisht që ligji mungonte dhe duhej kërkuar. Ai po krijonte një strukturë nga fillimi, strukturë që në disa vende perëndimore subvencionohej nga shteti. Këmbëngulës, Tani kërkonte sfida të reja. Presioni i politikës ishte i qartë kësaj radhe, duke i mohuar mbështetjen ligjore, pavarësisht se ditën ofronte deklarata krejt të ndryshme nga ç‘vepronte natën.

"Nuk më intereson politika. Kam vizionin tim për Shqipërinë". Duke deklaruar këtë, Tani kishte hyrë në një fushë të minuar. Politika vepronte ndryshe nga ç‘deklaronte. Suksesi qëndronte të ruhej vendi i parë në top-listën e mediave në vend, me paanësi, korrektësi. Duhej të ruante besimin e njerëzve. Kjo ishte kryesorja. Ndaj beteja vazhdoi.

Ndërkaq platforma e sukseshme dhe e vetme dixhitale kishte pushtuar hapësirën mbarëshqiptare, duke i dhuruar atë që politika ishte e paaftë ta bënte, "shengenizimin" shpirtëror të shqiptarëve. Teknologjia bashkohore e ‘DigitAlb‘, që e renditi Shqipërinë në vendet e para në botë, po përqafohej kudo ku kishte frymë dhe shpirt shqiptari, jo si biznes, por si zhvillim dhe vlerë kombëtare. Dritan Hoxha kishte thyer sërish kufijtë. Njësoj si në vitin 1991, kur linte me anije Shqipërinë, për shkak se ai kërkonte të ecte me shpejt se ajo. Tani nuk mund të priste pafund shtetin për ta bërë ortak në këtë mision të madh.

E "Top Channel" ishte kthyer si pikë turistike, një copëze Perëndimi në mes të Shqipërisë që vuante varfërinë dhe korrupsionin e qeverive të saj, një pikë referimi e Shqipërisë së re apo vizionit të saj të së ardhmes. Kornizës së perandorisë mediatike të Tanit, "Top Media", i mungonte qershia mbi tortë. Në vitin 2006, lind fëmija i fundit, gazeta "Shqip".

"Top Channel" ishte ekrani që thoshte të vërtetën, dhe opozicioni i vetëm objektiv kritik në Shqipëri. Kritikë dhe i vërtetë ndaj të gjitha qeverive, shpejt ekrani i tij u kthye në zërin e atyre që politika i përdorte një herë në 4 vjet për t‘u marrë votat e kthyer më pas krahët. "Top Channel" me vizionin e tij ishte në Perëndim, politika e sulmonte me projekte lindore dhe me skenarin më të errët të mbylljes së tij, duke hartuar ligje falimentimi. Me Tanin, shanset për kompromis ishin zero. "Unë nuk bëj kompromis me atë që kam ndërtuar gjithë këto vite. Unë besoj tek e ardhmja e këtij vendi. Topi nuk është më pronë e imja, është pronë publike"...

Mijëra njerëz do ta demonstronin këtë në një manifestim madhështor në mbrojtje të fjalës së lirë në sheshin "Skënderbej", në kryeqytet, në Prill të vitit 2007, dhe më pas në Korrik, kohë kur përplasja e qeverisë me "Top Median", hyri në një fazë më shumë se kritike. Por ëndrra e Dritan Hoxhës nuk mund të kufizohej me masa administrative. "Jam gati ta mbyll ‘Top Channel‘, por nuk kuptojnë se televizioni nuk është vetëm ca kamera e ca kaseta. Është ‘Top Channel‘ që kam brenda unë. Me pesë njerëz të tjerë, të jeni të sigurt, që mund të ngre televizionin më të mirë në Shqipëri. Unë besoj shumë tek fuqia e medias, jo për ta përdorur personalisht".

Edhe njëherë, Dritan Hoxha tregoi se ecte më shpejt se koha. Pikërisht në vitin e vrullshëm dhe të vështirë 2007, logoja e gjenialitetit të krijues të Tanit të Topit, vendoset mbi arritje teknologjike, ende eksperimentale në Evropë dhe botë. Ky ishte një tjetër moment për një investim të ri. Tani implementoi platformën HD (High Definition). Tani ishte një personazh i mbuluar me sfida dhe dashuri për jetën. Por ai nxitonte dhe vraponte, sikur e nesërmja nuk ekzistonte. "Unë besoj tek kjo punë, me të gjitha forcat e mia, prandaj vrapoj". Jo rastësisht edhe pasionet e tij private, ishin makinat dhe shpejtësia. Ai vetëm vraponte. Në 5-vjetorin e "Top Channel" ai do të ndante edhe njëherë susksesin. "Ju falenderoj të gjithëve që bëtë realitet ëndrrën time, që tashmë është edhe ëndrra juaj…"

Sot një vit më vonë, stafi i "Top Channel" punon me ritme të shpejta për të realizuar planet që la përgjysëm Dritan Hoxha.

Dritan Hoxha ishte gjithnjë i rrethuar nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, me të cilët kishte ndarë ëndrrat e rinisë dhe kishte krijuar gjithë mbështetjen e duhur në ecurinë 15-vjeçare të kësaj ëndrre, ëndërr që vazhdon… Sepse Tani ishte numër 1, por nuk ishte kurrë vetëm...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›