E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja futet në 4-she, por synimi është maja e tabelës

Nga Julian Kasapi

Skuadra e trajnerit Malko mori 3 pikë të arta në Burrel, duke përballuar edhe shkelmat e gladiatorëve të matjanëve 

Skuadra lushnjare është kthyer me tri pikë për herë të parë në historinë e saj nga transferta e Burrelit. Jo vetëm kaq, por skuadra e drejtuar nga trajneri Malko ka thyer këtë radhë tabunë e ndeshjeve jashtë, ku nuk fitonte prej kohësh. A ishte e vështirë? Pa dyshim që po. Madje shihej si një mision i pamundur, sidomos në stadiumin Liri Ballabani, ku u luajt një ndeshje, që më shumë se futboll, ishte një përleshje gladiatorësh.

Ndoshta matjanët janë mësuar me këtë lloj sporti në fushën e tyre. Jo vetëm ndërhyrje të ashpra, që nuk mund të menaxhoheshin nga gjyqtari Jubica (shkodrani meriton një bravo për korrektesën, pavarësisht presionit të futbollistëve të Burrelit), por edhe në rastet kur futbollistët lushnjarë ishin të shtrirë përtokë dhe prisnin ndihmën mjekësore, nuk u janë kursyer shkelmat nga vendasit.

Presioni i matjanëve Presioni nisi që pa filluar ndeshja, kur funksionarët e klubit matjan nuk i lejuan mediat vizive lokale të Lushnjës të zinin vend. Vetëm forcat e rendit bënë të mundur që ekipet televizive të filmonin ndeshjen dhe për këtë duhen falënderuar. Ndoshta kishte skenar nga ana e vendësve, që, në mungesë të rezultatit, të bëhej edhe më shumë sesa u bë, por kjo nuk ndodhi, sepse lushnjarët e zgjidhën ndeshjen me gola dhe jo me dhunë, si kundërshtari.

Megjithatë, e rëndësishme është që Lushnja mori 3 pikët, pasi nuk kishte rrugë tjetër për të mbetur në radhët e pretendentëve. Lushnjarët mbajnë aktualisht vendin e 4-t dhe janë në fillim të punës së tyre drejt majës, ku kanë si synim të shkojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›