‘Magjistari’ i Hysit
Jusuf Tortoshi e ka nisur eksperiencën te Hysi në mënyrë të shkëlqyeshme. Nën drejtimin e tij, skuadra nga Merdara i ka regjistruar tri fitore rresht, duke e ndryshuar imazhin në Superligë pas fillimit të dobët të sezonit.
Një nismë të tillë të punës nuk e kishte pritur as vetë ish trajneri i Prishtinës dhe Flamurtarit. Ai e tregon edhe çelësin e suksesit në tri takimet sa e udhëhoqi Hysin, në fitoret ndaj Gjilanit, KEK-ut dhe Prishtinës.
“Nuk e kam besuar se do ta kem një nismë të tillë të eksperiencës këtu, pasi që e llogarisja se do t’i kemi dy lojë jashtë me Gjilanin e KEK-un dhe një tjetër të vështirë në shtëpi me Prishtinës. Por, krejt klubi u mobilizua dhe i morëm punët me seriozitet. Po shoh një angazhim të madh të lojtarëve dhe në këtë mënyrë arritën edhe rezultatet”, deklaroi Tortoshi për Express.
Kampioni aktual i Kosovës është ngritur në pozitën e pestë në tabelën e Raiffeisen Superligës me 21 pikë të tubuara, 7 më pak se kryesuesi Drita. Tortoshi nuk po mendon ende për titull të kampionit. Ai më shumë është i fokusuar te përfundimi me sukses i fazës vjeshtore.
“Prioritet yni është që 4 ndeshjet e mbetura në vjeshtë t’i mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme, për të mbetur në hap me 4 ekipet që i kemi përpara. Pastaj është pushimi i gjatë i dimrit dhe të shohim nëse do të përforcohemi apo çka do të ndodhë gjatë dimrit, e më pas do të mendojmë për gjëra të tjera. Për momentin, për titull nuk po mendojmë”, përfundoi Tortoshi.
Në 10 xhirot e para, Hysin e drejtoi trajneri Fadil Ademi, i cili e kishte shpallur kampion këtë ekip edicionin e kaluar. Por, gjërat nuk shkonin mirë dhe drejtuesit e skuadrës llapjane vendosën për ndryshime. Duket se Hysi ka rënë në trajnerin e duhur, pasi që me Tortoshin gjërat po shkojnë për mrekulli.
Prishtina – Lepenci, hap javën e 14-të
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Lepencit do ta hapë xhiron e 14-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje zhvillohet sot, duke filluar nga ora 13:15. Ndeshjet tjera të kësaj jave do të zhvillohen nesër dhe takohen: Trepça ’89 – Drita, Drenica – Vëllaznimi, Liria – Hysi, KEK-u – Trepça e Gjilani – Besa.