Miqësoret në Itali, eksperienca të vyera për Vlorën U-19
Futbollistët nga Vlora, pavarësisht se u mundën në të dyja ndeshjet miqësore, treguan se kanë shumë talent
Në periudhën midis dy fazave të kampionatit, skuadra e Vlorës U-19 ka lënë stërvitjen përgatitore të dimrit për të zhvilluar dy ndeshje miqësore në Itali, ndaj bashkëmoshatarëve të Empolit dhe Sienës. Udhëtimi për në Apenine ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por djemtë e trajnerit pasionant Genti Mezani gati sa nuk fluturonin nga gëzimi dhe entuziazmi, pasi do të përballeshin me dy ekipe moshash të klubeve të Serisë A në kampionatin italian.
Mëngjesi i së mërkurës së parë të vitit 2012 i gjeti futbollistët vlonjatë të akomoduar në hotelin Pikolo Ric në Firence. Pas disa orësh çlodhje dhe shetitje në një pjesë të qytetit të Firencës, ata u kthyen në ambientet e hotelit, duke pritur stafin teknik të Empolit. Kujtojmë që qyteti i Firences nuk është veçse 30 km larg Empolit.
Në emër të stafit drejtues të Empolit, drejtori teknik Kapelino dhe menaxheri i skuadrës La Roka i kanë uruar mirëseardhjen delegacionit sportiv shqiptar. Profesor La Roka (siç e thërrisnin), për shkak të detyrës i ka kërkuar trajnerit Genti Mezani të dhënat identifikuese të lojtarëve dhe numrat e bluzave, të cilat do ti përdornin në të dyja ndeshjet.
Sipas trajnerit të Vlorës, Mezani, jo vetëm në Empoli, por në të gjitha mediat e shkruara sportive dhe radiot lokale u ishte bërë jehonë takimeve miqësore që do të zhvillonte skuadra e Vlorës me kundërshtarët vendas.
Ndeshja EmpoliVlora 3-0
Ndeshja e parë ishte Empoli-Vlora. Trajneri Mezani na tregon atmosferën dhe gjithçka ndodhi gjatë kësaj përballjeje: Skuadra italiane dhe tifozët e saj e kishin vlerësuar shumë takimin miqësor. Gjithësesi, na bëri përshtypje prania e shumë tifozëve shqiptarë që, nga sa mësuam, kishin udhëtuar nga Modena, Milano, Siena, Firence dhe Empoli për të ndjekur skuadrën e kombit të tyre në takimin që nisi në orën 15:30 të datës 5 janar.
Gjatë gjithë 90-minutëshit tifozët shqiptarë kanë mbajtur peshë entuziazmin, duke ngritur moralin e skuadrës sonë me thirrjet e duartrokitjet Vlora-Vlora, Shqipëri-Shqipëri. Formacioni shqiptar i Vlorës përbëhej nga djem të talentuar, si Çobaj, Meta, Gjika, Llanaj, Zholi, Prifti, Dalipaj, Koçani, Avdullai, Bacaj, Cerova. U aktivizuan gjithashtu portieri 16-vjeçar Xheka dhe mbrojtësi Boraku. Pjesa e parë e lojës u zhvillua e ekuilibruar.
Të dyja skuadrat kanë treguar më shumë kujdes për prapavijën, për të mos pësuar gol. Gjithsesi, nuk kanë munguar rastet për të kaluar në avantazh nga skuadra jonë me anë të Priftit dhe Cerovës. Në pjesën e dytë Empoli bën dallim në aspektin fizik e taktik, duke shënuar tri herë radhazi në portën tonë. Përpos rezultatit negativ, stafi drejtues i Empolit ka vlerësuar lojën e bukur dhe aftësitë teknike të lojtarëve tanë.
Dy prej futbollistëve tanë që spikatën më shumë dhe që u vlerësuan prej specialistëve e menaxherëve ishin Klevis Gjika dhe sulmuesi Julian Prifti. Empoli vlerësohet në Itali si një ndër klubet që prodhon talente të spikatura në futboll. Kjo skuadër kishte arritur fitore të bujshme para 4 muajve ndaj Mançester Junajtid (1-0) dhe ndaj Ajaksit (3-1).
Përballja e dytë Siena-Vlora 2-1
Më 7 janar, ora 14:30, pikërisht 3 orë para se të zhvillohej ndeshja e Serisë A Siena-Lacio, e cila përfundoi 4-0 për vendasit, u zhvillua miqësorja e moshave SienaVlora. Formacioni i Vlorës ishte ai i dy ditëve më parë ndaj Empolit. Në këtë takim djemtë treguan forcë karakteri dhe cilësi të futbollit vlonjat. Me sa duket, ndikoi për mirë ambientimi dhe njohja e kundërshtarëve, por edhe përqendrimi më i madh në lojë.
Pas disa minutash nga fillimi i ndeshjes (16), djemtë Vlonjatë fluturojnë nga gëzimi, duke u përqafuar me njëri-tjetrin. Sulmuesi Julian Prifti ka kaluar në avantazh skuadrën tonë, duke shënuar një eurogol. Shënimi i golit dhe loja e bukur me pasime të sakta dhe gjuajtjet nga çdo distancë i kanë bërë me krahë çunat vlonjatë, duke ngritur ndjeshëm moralin tyre.
Në pjesën e dytë, ashtu si ndaj Empolit, kemi pësuar 2 gola, pasi skuadra jonë nuk bëri asnjë ndryshim në formacion, ndërsa kundërshtari ndryshoi disa lojtarë, duke ruajtur freskinë fizike. Ishim të detyruar të mos kryenim zëvendesime. Për arsye financiare kishim shumë pak lojtarë të gatshëm. Në këtë takim të gjithë futbollistët e rinj luajtën me shpirt të lartë gare, duke u dalluar edhe për harmonizimin e veprimeve taktike. Në përfundim të takimit të dytë ndaj Sienës manaxheri Antonelo u interesua për Priftin, Dalipajn, Llanajn, Gjikën e Cerovën.
Futbolli italian, laborator shkencor
Pas këtij aktiviteti miqësor ndihem i lumtur dhe entuziast për faktin që në afatin kohor të një viti skuadra që unë drejtoj ka marrë pjesë në dy turne miqësore europiane, në Itali dhe në Spanjë (Barcelonë), ku është ballafaquar me shumë skuadra europiane. Një mundësi e tillë nuk u krijohet të gjithëve, madje as skuadrave të superligës shqiptare. Futbolli italian është një laborator shkencor.
Megjithëse kemi qëndruar vetëm disa ditë dhe zhvilluam vetëm dy ndeshje miqësore, ne konstatuan mënyrën profesioniste të të mësuarit dhe të stërvitjes. Ky është një mesazh për vendin tonë, ku kërkohen investime, veçanërisht në futbollin e moshave, që të krijohen sa më shumë terrene sportive të përshtatshme dhe të ndërmerren hapa për kualifikimin e trajnereve. Drejtuesit e të dyja skuadrave (Siena dhe Empoli) na kanë bërë ftesa që të shkojmë përsëri në Itali gjatë vitit 2012.
