Shehu: Gramozi, autokritikën me Besëlidhjen
Kolonjarët po mundohen ta lënë pas krahëve humbjen e thellë në Skrapar dhe janë përqendruar te sfida me Besëlidhjen, që vjen në Ersekë me pretendime, pasi mban vendin e dytë. Lojtarët e Gramozit duan të korrigjojnë gjithçka, pas asaj paraqitjeje zhgënjyese që bënë javën e fundit. Mbrojtësi i qendrës, Ajet Shehu, i cili mban edhe shiritin e kapitenit pas pezullimit të Shupes, është i mendimit se ajo që ndodhi të shtunën nuk do të përsëritet nga Gramozi.
Sipas tij, humbja në Skrapar ishte një mësim i mirë për javët në vazhdim. Ndeshjen e radhës e kemi me një skuadër të fortë si Besëlidhja, por vështirësia për ne shtohet ngafakti se do të na mungojnë tifozët tanë. Të gjithë po mundohemi ta harrojmë sa më shpejt humbjen e fundit, pasi këtë kërkon edhe trajneri ynë, Qirjako, thekson Shehu, i cili pranon se ekipi ka bërë gabime të mëdha në Skrapar.
Ai kërkon nga shokët që të mendojnë vetëm për Besëlidhjen, sepse në shtëpi nuk duhet hedhur asnjë hap fals. Gramozi është shkëputur nga kryesuesit e kategorisë së parë, ndërkohë që humbja e javës së kaluar tronditi besimin e tifozëve. Megjithatë, ne besojmë se ekipi do të kthehet te fitorja të shtunën, edhe pse e kemi të qartë se na pret një ndeshje e vështirë.
Luajmë me ekipin më të mirë të kategorisë së pare, por shpresojmë se do ta përballojmë, është shprehur Shehu. Kolonjarët kanë zhvilluar dje seancën e radhës, ku ekipi ishte i plotë. Gramozi do të luajë pa tifozë të shtunën, pasi është dënuar 2 ndeshje pa praninë e tyre nga FSHF-ja.
