Lushnja përgatitet më nge për derbin me Besën
Trajneri Malko përpiqet vazhdimisht të ulë entuziazmin dhe ndonjë shenjë euforie që vihet re tek verdhejeshilët
Lushnjarët kanë nisur javën stërvitore për takimin e radhës, kur në stadiumin Roza Haxhiu do të presin skuadrën e Besës. Sigurisht, lushnjarët e kanë marrë më nge, pasi i premtonte dhe koha që kanë në dispozicion. Momenti i pauzës ka qenë i mirë për riaftësimin e ndonjë futbollisti me probleme dëmtimi dhe i vetmi që pritet të mos jetë në fushë, është kapiteni Gentian Çela, pas dëmtimit të rëndë që ka pësur në ndeshjen e transfertës së Burrelit.
Lushnja ka luajtur dy ndeshje miqësore javës së shkuar për të provuar skuadrën dhe kontigjentin e saj në momentet e ndalimit të kampionatit. Kanë qenë dy takime mjaft interesante, ku me Albpetrolin rezervat kanë barazuar, ndërsa të shtunën, në ndeshjen tjetër miqësore me Naftëtarin, janë aktivizuar dhe pjesëtarët e formacionit bazë dhe lushnjarët kanë fituar.
Pavarësisht këtyre, ndeshjet miqësore kanë vlejtur për stafin teknik dhe më shumë për Malkon, nën drejtimin e të cilit verdhejeshilët kanë regjistruar tri fitore në katër ndeshje. Tekniku lushnjar është shprehur se ka nevojë për punë të përkushtuar të të gjithëve dhe nuk ka vend për eufori në radhët e ekipit, edhe pse ky i fundit vjen pas thyerjes së tabusë të fitoreve në transfertë, realizuar kundër Burrelit, ku lushnjarët nuk kishin fituar asnjëherë në historinë e tyre.
Megjithatë, skuadra lushnjare konsiderohet ende jo e stabilizuar dhe ndeshja e kësaj fundjave do të jetë shumë domethënëse. Luhet kundër një rivali të përjeshëm, si Besa, dhe historiku ndërmjet skuadrave është i pasur me momente të mira. Gjithmonë takimet kanë qenë derbi, por jo me natyrën që kanë ndeshjet kundër beratasve, apo fierakëve.
Madje, ka pasur dhe shkëmbime respektive eksperiencash nga epokave të mëparshme, por edhe aktuale. Klubi i futbollit të Lushnjës po bën përgatitjet për këtë takim, që pritet të sjellë në Roza Hazhiu një numër rekord shikuesish për këtë sezon. Faktorët janë skuadra lushnjare me ngritjen e saj katapultuese nën drejtimin e Malkos dhe afërsia me Kavajën, nga pritet të vijë një numër i madh tifozësh nga ky qytet.
