E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalari: Luftëtari, më shumë shanse për fitore

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Sot, gjirokastritët do të zhvillojnë takimin e prapambetur me elbasanasit, ku synojnë fitoren, e cila do ti shkëpuste ndaj rivalëve

Të dielën paradite, Luftëtari zhvilloi ndeshje kontrollit në fushën e futbollit të Derviçanit për duelin me Elbasanin. U zgjodh vendlindja e të paharruarit Lefter Millo, fushë që mban edhe emrin e tij, si për tu frymëzuar nga shpirti i tij aq luftarak, kur i ka shërbyer Luftëtarit, Partizanit, kombëtares (20 ndeshje) dhe Larisës së Greqisë. Nga kjo u përcaktua edhe formacioni që do ti kundërvihet formacionit elbasanas nesër në stadiumin Gjirokastra.

Trajneri Hysi mendohet se do të hedhë në fushë Selimajn, Gaxhajn, Sinanin, Shalarin, Bacin, Brahon, Devollin, Ramadanin, Stojën, Raboshtën dhe Norën. Pra, 7 gjirokastritë dhe 4 shkodranë do të përbëjnë skuadrën e shqiponjave, që do të përleshet me arinjtë, ndërkohë që Mersini dhe Caco nuk mund të aktivizohen për arsye kartonësh.

Mbrojtësi gjirokastrit Bledar Shalari, që i matur dhe pa zhurmë kryen punën së bashku me Sinanin, Gaxhajn, Bacin e të tjerë, na thotë: Nesër kemi një ndër përballjet më interesante, për faktin se do të ndeshemi me Elbasanin, që ka në fondin e tij dy tituj kampionë të superiores, si asnjë ekip tjetër nga të kategorisë së parë këtë sezon. Por aktualisht, verdheblutë, veçanërisht në transfertë, ka marrë vetëm 1 pikë, gjë që duket e pabesushme.

Ky fakt e bën atë më të egër se kurrë, gjë që na detyron të jemi shumë të kujdesshëm dhe kurajozë për ta përballuar me sukses. Luftëtari, me një fitore të mundshme konsolidon pozitat në krye të renditjes ndaj dhe nuk duhet ta humbasi këtë rast. Për derisa ndeshja luhet në fushën tonë, ku kemi vetëm fitore nuk duhet ta njollosim këtë koleksion, por duhet ta pasurojmë dhe më.

Elbasanin e vlerësojmë dhe e respektojmë, por shanset e fitores në Gjirokastër janë më të shumta për Luftëtarin. Lufta për topin e parë, gjakftohtësia, gjuajtjet nga pozicione të maskuara, mbrojtja solide që kemi mundësi të realizojmë, do të sjellin edhe rezultatin e kërkuar, – shprehet Shalari.

Hysi: Luftëtari në luftë për 3 pikët

Sot në stadiumin Gjirokastra do të luhet takimi Luftëtari-Elbasani, i prapambetur që nga java e 4-t dhe të e 5-të e kampionatit, i cili u shty për shkak të nja dy futbollistëve që u aktivizuan me ekipin kombëtar të U-21. Kjo krijoi edhe një lloj tensioni dhe replikash të ndërsjella. Luftëtari në këtë përballje vjen si kryesues, kurse Elbasani i pozicionuar i 9-ti me diferencë 6 pikësh.

Të dy ekipet janë në kërkim të fitores, por se cili do ta realizojë, është një enigmë. Nga rezultatet që Luftëtari ka në fushën e tij dhe nga ato që tjetri ka në transferta, rezulton që i pari e ka në tavë Elbasanin. Janë plot 8 ekipe që presin frenimin e Luftëtarit, ndërkohë që ne e kemi të qartë se me një fitore sot, plotësisht të mundshme, bëjmë kërcimin më të bukur dhe mjaft përcaktues për hyrje në ballon e superiores, – shprehet trajneri gjirokastrit, Mustafa Hysi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›