Lushnja thjeshton llogaritë, tani ka rival vetëm Kukësin
Lushnjarët e kishin shprehur hapur synimin e tyre për fitore në Kavajë dhe ia arritën të fitonin një nga transfertat më të vështira. Është një tjetër provë e kaluar me sukses nga skuadra e drejtuar nga trajneri Saimir Malko, që tregon se Lushnja e meriton të ketë në dorë një biletë superlige në fund të kampionatit. Por jo gjithçka ka përfunduar me atë fitore mbresëlënëse të verdhejeshilëve, falë golave të Dervishit dhe të të zakonshmit Mikel Canka.
Lushnjarët kanë lënë pas një rival, por duhet të fitojnë luftën me një tjetër, Kukësin, që është 2 pikë para. Këtë rival Lushnja e pret javën e fundit në fushën e saj dhe sigurisht që do të marrë hak, por deri atëherë gjerat edhe mund të kenë ndryshuar. Myzeqarët e kanë lënë pas festën e fitores në Kavajë dhe e kanë kthyer vëmendjen te ndeshja me Ilirinë në Roza Haxhiu.
Mund të duket një ndeshje e lehtë, por ajo ka marrë gjithë seriozitetin e lushnjarëve, pasi humbja e pikëve në ndeshje të tilla do të rezultonte fatale. Suksesi i fundit ka lumturuar tifozët e shumtë lushnjarë, të pranishëm të shumtë në numër edhe në stadiumin e Kavajës.
