Qirjako: Gramozi ka rifituar besimin e humbur
Trajneri i kolonjarëve, Ilir Qirjako, vlerëson paraqitjen e të tijve në ndeshjen e fundit dhe shpreson të shmangë edhe play-out-in
Si rrallëherë këtë fazë të dytë, stadiumi Gramozi ishte i tejmbushur në takimin me Skraparin, në fund të të cilit të gjithë dolën të kënaqur pas asaj fitoreje të bukur. Një fitore shprese, që i mban kolonjarët në lojë për qëndrimin në kategorinë e parë pa ndeshje shtesë. Tifozëria kolonjare ka përjetuar emocione të forta të dielën, pasi Gramozi ka dhuruar spektakël gjatë gjithë kohës.
Pra, Gramozi ka fituar besimin e tifozëve, të cilët janë të bindur se ekipi do të mbijetojë. Këtë bindje e ka edhe trajneri Ilir Qirjako, i cili mes të tjerash ka theksuar: Tashmë jam më i qetë, sepse kemi marrë një fitore shumë të rëndësishme në një ndeshje, që nuk ishte aspak e lehtë.
Skrapari, për vetë pozitat që ka në tabelë, kishte ardhur në Ersekë për pikë, por ne ia dolëm dhe tani i presim me më shumë besim takimet e tjera, që padyshim janë shumë të vështira, duke nisur që nga ky i radhës me Besëlidhjen. Sidoqoftë, besoj se Gramozi do ta realizojë objektivin. Fitoren e fundit me Skraparin e ka përshëndetur edhe kryebashkiaku i Ersekës, Ali Laho, i cili nuk e ka fshehur kënaqësinë që ka ndier përkrah tifozëve kolonjarë.
Gjithashtu, ai ka premtuar mbështetjen e tij për kapërcimin me sukses të të gjitha sfidave që e presin ekipin. Drejtuesit kolonjarë mendojnë se sfida e vërtetë është transferta e Lezhës, ku i pret Besëlidhja, që kërkon superligën. Për ta është shumë i rëndësishëm fakti se në ekip është rikthyer besimi dhe se forma e lojtarëve është mjaft e mirë.
