E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Selimi: Të hetohet Memaliaj-Naftëtari!

Ka reaguar trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi, në lidhje me atë që ndodhi në Memaliaj, ku ekipi vendës u mund nga Naftëtari, një rival i tepelenasve në luftën për kategorinë e parë. Ai thekson se ajo ndeshje duhet të hetohet, sepse pati tolerim të hapur: Kam lexuar dje në media, por kam marrë edhe informacione nga njerëz të sportit në Memaliaj, ndaj dhe kam mbetur i shtangur për teatrin që u pa në ndeshjen Memaliaj-Naftëtari. Mjafton fakti që janë larguar edhe tifozët nga stadiumi në shenjë proteste. I bëj thirrje FSHF-së që të ndërhyjë dhe të verifikojë skandalin, pasi skuadra vendëse ka toleruar hapur.  Janë çudira që po ndodhin dhe që cënojnë Tepelenën. Më shumë se humbja me Partizanin, jam indinjuar nga ajo që ka ndodhur në Memaliaj. Ne shkojmë dhe luajmë futboll me Partizanin, madje të dyja ekipet luftojnë dhëmbë për dhëmbë, ndërsa rivali ynë zhvillon miqësore. Gara nuk po luhet drejt, ndaj institucionet përkatëse në FSHF të marrin masa, sepse edhe ne si klub do të shohim pozicionin tonë, – tha trajneri-lojtar i Tepelenës, Ilir Selimi.

Lila: Naftëtari nuk mund të paragjykohet

 

Sulmuesi kuçovar, Redon Lila, thekson se ekipi i tij ka 5 fitore radhazi në transfertë dhe në Memaliaj i meritoi 3 pikët

 

Nga Arben Çepani

Naftëtari bëri detyrën në Memaliaj, duke marrë 3 pikët, që e mbajnë në të njëjtat pozita, 1 pikë pas Partizanit, por tashmë të shkëputur nga Tepelena. Pavarësisht komenteve në lidhje me ndeshjen në fjalë për tolerim të vendësve, kuçovarët pohojnë se fitorja e tyre ka qenë e merituar. Ndeshja shtesë duket e sigurt aktualisht, por ata shpresojnë ende për vendin e parë, pra për një parakalim të Partizanit në javët e mbetura. Në Memaliaj shënuan Fabian Molla dhe Redon Lila, të cilët janë dy golashënuesit më të mirë të Naftëtarit, respektivisht me 8 dhe 6 gola. Sulmuesi Redon Lila thotë për Sportin shqiptar se pak rëndësi ka se çfarë mendojnë të tjerët, mjafton që Naftëtari të ecë përpara: ”Kemi marrë 3 pikë shumë të rëndësishme në Memaliaj, që është një fushë tepër e vështirë. Kundërshtari ishte shumë i fortë dhe më vjen keq që ka paragjykime për fitoren tonë. Nuk është hera e parë në këtë kampionat që Naftëtari fiton në transfertë. Ajo me Memaliajn ishte fitorja e 5-të radhazi në transfertë, ndaj dhe do të thosha se rezultatet tona nuk janë rastësi. Naftëtari ka një ecuri të mirë gjatë fazës së dytë, ku gjithçka që ka arritur, e ka merituar plotësisht. Jemi në vend të dytë, por e them pa frikë se Naftëtari është ekipi më i mirë i grupit. Nuk i kemi humbur shpresat për kreun, pasi gara është e hapur deri në ndeshjen e fundit. Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit, për të shpresuar për ndonjë gabim të mundshëm të Partizanit.”

Syla: Ndalesa e Sukthit na favorizon, kujdes euforinë!

 

Nga Erion Saliu

Ndalesa e Sukthit në transfertën me Pashtrikun natyrisht që ka sjellë optimizëm te pukjanët, të cilët e kanë ruajtur diferencën në pikë me këtë rival edhe pa luajtur, pasi këtë javë ishin pushim. Ndryshe nga shumë stadiume të vendit, në Pukë është traditë që edhe femrat e ndjekin skuadrën në ndeshjet në shtëpi. Madje, në sfidën me Erzenin ishin të pranishëm edhe disa turistë anglezë, që ishin akomoduar në qytet dhe kaluan dy orë në stadiumin Ismail Xhemali. Ndërkohë, presidenti Petrit Syla kërkon ë ti mbajë lojtarët e tij me këmbë në tokë në prag të transfertës me Olimpikun. Në një prononcim për Sportin shqiptar, ai theksoi: Tërbuni ka mbështetjen maksimale të tifozëve pasi na ndjekin thuajse në çdo ndeshje në shtëpi afro 3000 vetë, ndërkohë që në transfertë kemi pasur rreth 200 mbështetës. Por edhe femrat janë simpatizante të skuadrës sonë. Duhet të jemi një stadium shembull për të afruar sa më shumë tifozë, meshkuj dhe femra. Sa i përket fitores me Erzenin, pritej sepse ne deri më tani nuk kemi bërë asnjë humbje dhe jemi me meritë në krye, por ndalesa e Sukthit nuk duhet të na bëjë euforikë. Tërbunin e presin ndeshje të vështira në vijim, ndaj edhe stafi po e përgatit skuadrën që të mos thuhet në javët e ardhshme. Kjo ndërprerje nuk na bënë mirë sepse skuadra është në formën maksimale dhe na duket sikur ul ritmin. Na pret këtë javë një transfertë e vështirë me Olimpikun në Tiranë, ku do të synojmë që të marrim fitoren e radhës.

 

Grupi A

Java e 15-të (22.04.2012)

KORABI – PASHTRIKU

SUKTHI – LUZI 2008

EGNATIA – ERZENI

OLIMPIK – TERBUNI

VELEÇIKU – pushim

Renditja

1.Tërbuni             32     10     2       0       26-8

2.Sukthi               28     9       1       2       29-13

3.Luzi 2008         23     7       2       3       21-11

4.Olimpik             22     6       4       3       21-13

5.Veleçiku           18     5       3       5       13-15

6.Egnatia             12     3       3       7       8-13

7.Erzeni               12     3       3       6       16-23

8.Korabi               6       1       3       8       8-18

9.Pashtriku          3       0       3       10     10-37

 

Grupi B

Java e 19-të (22.04.2012)

DELVINA – KELCYRA

DOMOSDOVA – PARTIZANI

TEPELENA – BILISHT SPORT

SOPOTI – ALBPETROL

PERMETI – NAFTETARI

TURBINA – MEMALIAJ

Renditja

1.Partizani           40     12     4       2       26-9

2.Naftëtari            39     12     3       3       33-8

3.Tepelena                   35     11     2       5       34-22

4.Turbina             29     8       5       4       26-20

5.Albpetrol          29     8       5       5       22-18

6.Bilisht S.           23     7       2       9       22-24

7.Përmeti            22     6       4       8       22-27

8.Sopoti               20     5       5       7       16-21

9.Memaliaj           18     5       3       10     17-24

10.Delvina           16     5       1       12     20-35

11.Domosdova   15     5       3       10     17-28

12.Këlcyra           15     4       3       11     16-34

Shënim: Domosdovës i janë hequr 3 pikë nga komisioni i disiplinës

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›