E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa e Besës është vetëm play-off-i

Nga Leonard Dushku

Humbja me Lushnjën ishte një goditje e rëndë për kavajasit, të cilët tani e kanë thuajse të pamundur të kapin vendin e dytë

Nuk mund të flitet më për ngjitje direkte të Besës në kategorinë e parë. Forca e kësaj skuadre ishte vënë disa herë në pikëpyetje, pasi me vështirësi ka fituar jo pak herë në fushën e saj, duke shënuar në minutat e fundit, ndërsa humbja me Lushnjën po në Kavajë ka bërë që të marrin fund shpresat për ta mbyllur kampionatin në dyshen e parë.

Besa ka mbetur 8 pikë pas vendit të dytë, pasi ka gabuar fatalisht ndaj një rivali të drejtpërdrejtë, siç është Lushnja, që ka shënuar dy herë në portën e kavajasve dhe është larguar me 3 pikë të arta.

Por skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani ka lënë edhe më parë pikë të çmuara në fushën e saj, faktor që ka ndikuar shumë në pozicionin aktual, që e komplikon së tepërmi arritjen e objektivit sezonal. Kujtojmë që Besa ka humbur në shtëpi që në javën e parë të kampionatit, kur është befasuar nga Gramozi.

Po ashtu, kjo skuadër nuk ka shkuar më shumë se barazimi në sfidën me Luftëtarin rival dhe tani humbja me Lushnjën e çojnë në 8 numrin e pikëve të shpërdoruara në stadiumin e Kavajës, pikërisht aqsa është edhe diferenca aktuale me vendin e dytë. Gjithashtu, shumë herë Besa e ka siguruar fitoren në çastet e fundit, madje edhe me kundërshtarë të konsideruar të lehtë në letër.

Pikërisht për këtë arsye presidenti Bizhdili bëri disa ndërhyrje në merkaton e dimrit, duke sjellë në skuadër futbollistë me përvojë, siç janë portieri Mançevski, mbrojtësi Dragusha, mesfushori Frashëri dhe sulmuesi Ziambo, por përsëri Besa duket se nuk e ka forcën për ta merituar vendin e dytë në këtë kampionat.

Play-off-i Sipas të gjitha gjasave, kavajasit do të luajnë ndeshje shtesë me një kundërshtar nga superliga, ku do të diskutojnë ngjitjen ose jo në superligë. Janë edhe 15 pikë në lojë, por duke parë vështirësitë e ndeshjeve të fundit, sidomos të atyre në transfertë, siç është kjo e radhës me Butrintin, shanset janë minimale për vendin e dytë.

Ndoshta trajneri Magani duhet të mendojë që tani për finalen pas përfundimit të kampionatit. Në fakt, Besa ka një grup futbollistësh, të cilët dinë ti zgjidhin ndeshje të tilla, pasi kanë fituar trofe në superligë, kështu që nuk do të ishte aspak çudi fitorja e skuadrës kavajase në ndeshjen shtesë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›