E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani, fjalët e mira e gurët në trastë

Nga ILIR CARA

Të kuqtë kryesojnë Grupin B dhe janë pranë ngjitjes në kategorinë e parë, por problemi financiar mbetet një plagë e hapur te kryeqytetasit

Partizani militon në kategorinë e dytë, por ajo që ndodh në terren tregon se demat e kuq vazhdojnë ta grishin ambientin futbolldashës, gjë e cila u pa edhe të dielën në takimin me Tepelenën, ku të pranishëm në stadium ishin rreth 3 mijë tifozë. Që nga viti 2008 Partizani është i përfshirë nga kriza financiare, gjë e cila e degdisi klubin në nivelin më të ulët.

Ky sezon u nis plot shpresë për legjendën e kuqe, ku nën administrimin e Ministrisë  së Mbrojtjes u mendua se ekipi nuk do të kishte probleme financiare. Te Partizani ka ndryshuar për mirë vetëm aspekti stërvitor dhe udhëtimi kur luhet në trasfertë, pasi për sa u përket financave, ministria ka servirur vetëm serum sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Përpos këtyre premtimeve të ministrisë deri tani blofe kanë rezultuar edhe nismat e biznesmenëve të ndryshëm për të ndihmuar sadopak ekipin.

Thuhet se një përfaqësi biznesi amerikan qëndron prej kohësh në derë të Partizanit në pritje për ta privatizuar. Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë Javën që shkoi drejtuesit e Partizanit në parim arritën një marrëveshje me përfaqësuesit e FIAT në Shqipëri për të sponsorizuar ekipin deri në fund të edicionit.

Por çuditërisht edhe kjo nismë mbeti pa konkretizim. Stafi teknik dhe futbollistët janë heronjtë e vetëm të Partizanit, pasi me paraqitjen e tyre po arrijnë tu bëjnë ballë me sukses kundërshtarëve, si dhe fjalëve të mira, që më shumë po japin efekt shpërqendrimi sesa shprese.

Partizani është i dobët financiarisht, por ama thesari i tij i patjetërsueshëm, tifozeria, po shtohet nga java në javë, mbështetje e cila po e mban gjallë egon e skuadrës që në fund të sezonit të ngjiten në kategorinë e parë. Pra, ajo që po ndodh sot te Partizani mund të përmblidhet me një proverb: Fjalët e mira dhe gurët në trastë.

Klodian Asllani Ndaj Tepelenës të kuqtë nuk patën shërbimet e veteranit Klodian Asllani, i cili është larguar drejt Austrisë për një provë në Bundesligën e dytë austriake. Sulmuesi iu bashku të kuqve në merkaton e dimrit, por prezenca e tij rezultoi pozitive, ku shënoi 4 gola dhe ishte nga ata lojtarë që e merrte për dore ekipin.

Drejtuesit e kuq e vlerësojnë kontributin e dhënë nga Asllani dhe dëshironin ta kishin deri në fund, pasi ishte futbollisti i duhur për të kaluar situatat e vështira. Padyshim, nëse Asllani kthehet shpejt nga Austria, i ka dyert të hapura te Partizani, sepse me kuçovarin ata do të ishin më të qetë. Për stafin teknik mungesa e Asllanit dha efekt të menjëhershëm që në ndeshjen me Tepelenën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›