Plepolli në Trepçë

Arsim Plepolli do t’i bashkohet Trepçës në pjesën e mbetur të kampionatit. Mesfushori i njohur kosovar ka konfirmuar për Express se ka marrë ofertë nga klubi mitrovicas, të cilën ka vendosur ta pranojë.
“Jam në bisedime me Trepçën. Ata kanë nevojë për një lojtar me përvojë dhe për këtë më kanë kontaktuar mua. Besoj se në xhirot në vijim do t’i bashkëngjitëm këtij ekipi”, deklaroi Plepolli i cili në pjesën vjeshtore të sezonit ka luajtur me Gjilanin.
Plepolli mund të luajë qysh në ndeshjen e fundjavës ndaj Prishtinës, por më i mundshëm është angazhimi i tij kundër Lirisë pas një jave. Ish futbollisti i disa skuadrave kosovare beson se me ‘Xehetarët’ do të ketë një eksperiencë pozitive.
“Mendoj ta ndihmoj Trepçën në këto 9 xhiro, sa kanë mbetur deri në fund. Trepça nuk rrezikon që të bie nga liga. Ka ekip të mirë, por është paksa në krizë momentale. Besoj se do ta kalojë këtë krizë, duke iu kthyer fitoreve”, përfundoi Plepolli.