E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnje, 5 tentativa vetëvrasjeje në një javë

 

Situata është bërë alarmante për shkak të numrit të madh të personave që tentojnë vetëvrasjen me helm

LUSHNJE- Temperaturat e nxehta të verës duket se kanë ndikuar edhe në rritjen e numrit të tentativave për vetëvrasje në zonën e Lushnjes. Gjatë javës që u mbyll, në repartin e reanimacionit në spitalin e Lushnjes janë paraqitur pesë persona të vetëhelmuar nga zona të ndryshme të rrethit. Në fakt kanë qene tentative për vetëvrasje, pasi nga të gjithë të shtruarit ne repartin e reanimacionit nuk ka pasur asnjë të vdekur.

Ka qenë shërbimi mjekësor i kualifikuar ai që ka bërë të mundur të mbajë në jetë të vetëhelmuarit, edhe pse kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Gati çdo ditë ka pasur nga një të vetëhelmuar që do të thotë se ky fenomen është kaq i zakonshëm saqë mjeket shprehen lirshëm dhe pyesin “Kush është i vetë helmuari i radhës”. Rastet e vetëhelmimeve bluzat e bardha i shohin me shqetësim, por thonë se ky nuk është problem qe kërkon zgjidhje prej tyre. Vetëhelmimet lidhen kryesisht me problemet sociale qe kanë shtresat e ndryshme të shoqërisë dhe në ketë kuadër ato japin efektin e tyre pozitiv apo negative. Sipas mjekut reanimator Mihal Petushi, shkaku i vetëhelmimeve të shumta lidhet me qëndrimin indiferent të shoqërisë ndaj atyre njerëzve që kanë edhe probleme sociale më të mëdha, të cilët nuk janë në gjendje për të përballuar vështirësitë e jetës. “Vetëhelmimet ndodhin si rezultat i nivelit të ulët ekonomik dhe kulturor të një kategorie njerëzish, të cilët nuk e gjejnë dot mbështetjen e duhur në marrëdhëniet e përditshme për të dalë nga kriza që i ka mbërthyer dhe si pasojë ata e kërkojnë zgjidhjen e vetme te vetëvrasja duke i dhënë fund jetës”,- pohuan dje mjekët. Sipas tyre, rastet më të shumta kanë qenë nga zonat rurale dhe kryesisht adoleshentët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›