E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishja e lokalit, Paço denoncon në prokurori ndërtimorët

 

Durrës, ish- deputetja e PS-së dhe i shoqi kanë bërë kallëzimin penal për shpërdorim detyre ndaj kreut të ndërtimorëve

DURRËS- Ish- deputetja e Partisë Socialiste, Natasha Paço, dhe bashkëshorti i saj kanë denoncuar dje në prokurori përgjegjësin e Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor për shpërdorim detyre. Pas incidentit të disa ditëve më parë që solli edhe nisjen e procedimit penal për ish- deputeten, dje ka ardhur edhe reagimi i saj. Paço është paraqitur në prokurori së bashku me të shoqin, Vladimirin, dhe ka akuzuar Gëzim Memën për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare. Kjo ka bërë që çifti Paço dhe Memia të jenë edhe paditës edhe të paditur në këtë proces.

Natasha Paço dhe burri i saj kanë deklaruar se lokali “Aurora”, dhe toka në të cilën është ndërtuar lokali është në pronësi të tyre. Për të justifikuar deklarimin ata janë shprehur se disponojnë të gjitha vërtetimet si dhe çertifikatën e pronësisë. Burrë e grua janë konfrontuar me përgjegjësin e Inspektoratit Kombëtar të Policisë Ndërtimore, Gëzim Memia, pak ditë më parë në kohën që fadromat nga Tirana kanë nisur aksionin për të prishur të gjitha lokalet në anë të majtë të rrugës nga Bërryli deri pranë Currilave. Në listë për t’u prishur si ndërtime të paligjshme ishte përfshirë edhe lokali në pronësi të çiftit Paço. Ajo ka shpjeguar dje se ka replikuar me Meminë duke i bërë të ditur se kishte certifikatë pronësie të truallit si dhe leje nga bashkia e Durrësit për ushtrim të aktivitetit privat. Por aksioni për të prishur këto ndërtime ka vijuar duke dëmtuar vetëm një pjesë të lokalit “Aurora”, ndërsa lokalet e tjera janë shembur plotësisht. Pronarët i janë rikthyer punës për të ribërë lokalin e dëmtuar në pjesën e çatisë dhe kanë nisur aktivitetin për pushues buzë deti pas një jave. Por nga ana tjetër, Inspektorati Kombëtar është vënë në dijeni se Paço ka rifilluar aktivitetin dhe kjo ka sjellë në Durrës me datë 30 korrik përgjegjësin e kësaj policie me seli në Tiranë, Gëzim Memia.

Pikërisht këtë ditë çifti është përballur me ndërtimorët në hyrje të lokalit. Sipas deklarimit të Natasha Paços, ata kanë shkëmbyr replika me Meminë. “Memia kërkoi që ne të shembim lokalin duke na kërcënuar se do të risjellë fadromën, ndërsa ne u përpoqëm t’i tregojmë dokumentet të cilat nuk i përfilli”,- ka thënë Paço. Kallëzimin penal që ka bërë Gëzim Memia ajo e ka cilësuar si veprim për të mbuluar aksionin e paligjshëm në shembjen e lokalit. Bashkëshortët Paço kanë deklaruar se në lagjen numër 1 të qytetit kanë pronësinë e një sipërfaqeje trualli prej 650 m2. Sipas Natasha Paços, lokali është ndërtuar pikërisht në këtë tokë pronësia e të cilit vërtetohet nga dokumenti i zyrës së regjistrimit të pasurisë në Durrës. Nga ana tjetër burrë, e grua kanë paraqitur edhe lejen e ushtrimit të aktivitetit që është firmosur nga kryetari i bashkisë, Vangjush Dako. Kjo leje i është dhënë bashkëshortëve Natasha e Vladimir Paço për një afat 12- mujor duke filluar nga data 30 qershor 2008 deri më 30 qershor 2009 për tregtim të produkteve ushqimore dhe për plazh privat. Bashkëshortët kanë deklaruar se synimi i denoncimit në prokurori të veprimit të ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Policisë Ndërtimore është të dëmshpërblehet për dëmin që i është shkaktuar si dhe të ndëshkohet Memia për shpërdorim detyre dhe për kryerje të veprimeve arbitrare ndaj pronës dhe personalitetit të tyre pasi, sipas tyre, veprimet janë të qëllimshme dhe keqdashëse duke ushtruar autoritetin shtetëror në funksion të inateve personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›