E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnje, Rama: Qeverisja e PS-së, me sy nga njerëzit

Kryetari i opozitës bëri sërish thirrje për bashkimin e shqiptarëve tej mureve partiakë

TIRANË- Në vijim të turit të gjatë “Dialogu me Shqipërinë”, Kryetari socialist Edi Rama, është ndalur dje në qytetin e Lushnjës, e konkretisht në fshatin Grabian, ku u përball edhe me gjendjen e rëndë ekonomike të këtyre banorëve. Për këtë arsye, ai ka deklaruar se PS-ja ka për synim që të bëjë shtetin aleat të familjeve të varfëra. Në bashkëbisedimin që ai bëri në këtë fshat, kreu socialist u bë dëshmitar i vuajtjeve që po kalonin banorët e këtij fshati, lidhur edhe me mungesën e ushqimit. “Në fshat, varfëria dhe papunësia është ulur këmbëkryq, ku familjet e qytetareve dhe qytetarëve që jetojnë në fshat, arrijnë të mbijetojnë vetëm falë sakrificash të jashtëzakonshme dhe falë bijve e bijave që nga emigracioni sjellin ndihmën e pazëvendësueshme. Kjo është një situatë, e cila nuk mund të vazhdojë gjatë dhe të cilën ne duhet ta ndryshojmë me një politikë të re”, - u shpreh Rama. Ai theksoi nevojën e bashkimit përtej partive, që do t’i jepte fund kësaj gjendjeje. “Unë dua t’ju them se ne mund ta ndryshojmë këtë gjendje. Nuk janë fqinjët tanë as më të mençur, as më të aftë për të sakrifikuar, as më të vullnetshëm sesa ne shqiptarët. Nuk janë ata as më të përkushtuar ndaj familjes dhe fëmijëve sesa ç’jemi ne shqiptarët, që pikërisht për të ardhmen e fëmijëve, duhet të bashkohemi. Duhet t’i japim jetë një bashkimi të ri përtej kufijve të partive. T’i japim jetë bashkimit përtej mureve që partitë kanë ngritur mes njerëzve, duke na dhënë hapësirën për t’u ndarë në emër të së shkuarës, ndërkohë që kemi arsye të bashkohemi në emër të së ardhmes”, - u shpreh kreu socialist. Rama bëri të ditur se, ndryshe nga qeverisja e sotme, qeverisja e nesërme e PS-së do të jetë me sy nga njerëzit, për të synuar përmirësimin e jetesës së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›