Hallet tona, hallet e partive dhe një parim i demokracisë
Këtu po vriten e po priten njerëz. Këtu po kapen emigrantë në kufi e po rrihen e po u bie të fikët në sallën e gjyqit. Këtu te ne bien pallate dhe shpërthejnë fshatra. Humbin njerëzit sikur jemi në xhungël. Të shan kryeministri nga nëna e motra, të vret komshiu pse i pe gruan. Ngujohen fëmijë në kulla e vriten gra për gjak. Në Shqipëri marrin një copë mishi, i vënë dy sy dhe e bëjnë ministër.
Tani duhet të meremi edhe me deputetë që bëjnë grevë urie për pushtet. E kupton ti mor rob i kësaj toke, që s’ja kemi ngenë dhe këtyre, se na plasi buza? More pse duan ta zhvendosin vëmendjen nga halli i popullit te halli i vet?
Këtu dhe uji ka hepatit, dhe gjaku që merr në spital ka AIDS. Dhe ajo çka është më e rëndësishmja, e dini si është puna? Kjo është çështje parash. Partitë e vogla jetojnë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Shteti financon partitë (nuk jemi ende në sistem privat – mëgjithëse xha Korrupi sillet vërdallë).
Si mendoni, të vazhdohet të paguhen komisionerët e një partie që nuk merr 5% të votave të popullit? JO.
Në Francë, ajo parti apo ai kandidat për president që nuk kalon 5% të votave popullore, është i DETYRUAR t'i rikthejë shtetit të gjitha paratë, NJË MË NJË, që ky i fundit ia ka dhënë për fushatën.
Kjo eliminon këtë që jo çdo kolopuç të krijojë një parti e të fryhet me paratë e mia dhe të tuat.
Dhe ky shtet legen, shkon e u prish grevat minatorëve dhe të pastrehëve. Nxirrini dhe këta, se ndoshta kështu kuptohet njëherë e mirë që parimi i demokracise është; shumica vendos për pakicën:
Pse nuk u pëlqejnë vendimet 11 deputetëve, s’do më thënë që 129 të tjerët duhet të ndryshojnë qëndrim.
Në të gjitha vendet, vendimet e shumicës ZBATOHEN dhe jo luftohen. Pse zgjidhet kuvendi xhanëm? Që të miratojmë ligje kot, ngaqë pakica nuk është dakord?
Kur votohet një ligj, ka kështu: 76 pro, 7 kundër, 13 abstenime. Kaq, ligji u votua. Të shtatët që janë kundër, duhet të zbatojnë ligjin. Ky është parimi numër një i demokracisë