Mos subvenciononi KESH-in dhe OST-në
Këshilla: Hyrja e një operatori të ri në treg do të sillte ulje të çmimit të energjisë elektrike
TIRANË- Komisioni i Konkurrencës i ka kërkuar qeverisë që t’u japë fund subvencioneve ndaj KESH-it dhe OST-së, pasi ato janë kompanitë që kanë edhe monopolin e burimeve natyrore të vendit. Sipas krerëve të këtij institucioni, ato duhet të funksionojnë si ndërmarrje tregtare dhe nuk duhet të marrin mbështetje nga buxheti i shtetit. Subvencionet shtetërore për të mbuluar deficitin e OSSH-së nga mosarkëtimet, kanë qenë një barrë e rëndë deri tani për buxhetin e shtetit. Në fakt, niveli i ulët i arkëtimeve të faturave të energjisë elektrike, kanë shqetësuar edhe zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri. Para disa ditësh, shefi i këtij organizmi ekonomik për Shqipërinë, u kishte bërë thirrje institucioneve shtetërore që janë në borxh ndaj OSSH-së dhe në veçanti ujësjellësve, që të përmbushin sa më shpejt detyrimet e tyre që i kanë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Krahas rekomandimit për t’u thënë ndal subvencioneve shtetërore ndaj këtyre kompanive, Autoriteti i Konkurrencës, në kuadrin e rritjes së eficencës së tregut për të krijuar më shumë përfitime dhe mundësi zgjedhjeje për konsumatorët, ka këshilluar qeverinë që, përveç OSSH-së, të futet në treg një Operator i Furnizimit me Shumicë, i cili do të funksionojë i ndarë nga kjo e fundit. Ky operator i ri, së bashku me ndërmjetësit e tregut të energjisë, duke krijuar dhe Qendron Funksionale Dispeçer, do të realizonin një treg funksional të energjisë. Në këtë mënyrë do të hapej dhe të rritej konkurrenca si në krahun e prodhimin ashtu edhe në tregun e furnizimit me shumicë dhe me pakicë me energji.
Në zbatim të nenit 69 të Ligjit Nr. 9121 "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", Komisioni i Konkurrencës, i ka kërkuar autoriteteve që të mos marrin vendime pa u konsultuar paraprakisht me të. Në të kundërt, kjo do të sillte një shtrembërim dhe pengim të konkurrencës së ndershme duke mosinkurajuar transparencën në privatizimin dhe liberalizimin e sektorit të energjisë elektrike, theksojnë burime nga ky autoritet. Po ashtu, ky komision u ka kërkuar autoriteteve që liberalizimi i tregut, i kryer “de jure” deri tani, të kryhet edhe “de fakto”, duke krijuar më shumë së një mundësi zgjedhjeje të burimit të furnizimit, fillimisht për klientët jotariforë dhe më pas edhe për klientët dhe konsumatorët tariforë. Pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ERE-s i rekomandohet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për liberalizimin e mëtejshëm të tregut nëpërmjet licensimit të ndërmjetësve të tregut, pasi deri tani, transmetimi dhe operimi i sistemit vazhdojnë të mbeten monopole. “Rekomandimet e mësipërme, synojnë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për konsolidimin dhe hapjen reale të tregut të energjisë elektrike, duke siguruar një treg funksional dhe që ofron produktin e mjaftueshëm dhe shërbimin më të mirë në çmimet më të lira të mundshme për konsumatorët”, - thanë burime nga Autoriteti i Konkurrencës.