E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Durrës- Kukës do edhe 250 milionë euro

Zv/ministri ka pranuar rritjen e mëtejshme të çmimit të rrugës, i cili pritet që të ndikohet edhe nga kriza globale

TIRANË- Rruga Durrës-Kukës do t’i “hajë” buxhetit të shtetit shqiptar edhe 250 milionë euro për vitin 2009. Kjo është pohuar dje nga zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu në komisionin parlamentar të ekonomisë. Sipas tij, kjo shumë do të shpenzohet në kuadrin e përfundimit të punimeve që, sipas kontratës, pritet të ndodhë verën e ardhshme. Duket se qeveria do të përpiqet që një pjesë të kësaj shume ta paguajë brenda vitit 2008, në mënyrë që të mund ta lehtësojë buxhetin e vitit të ardhshëm nga kjo barrë, e cila arrin vlerën e 8 % të zërit të investimeve. Disa ditë më parë, Shehu kishte deklaruar se, pagesat ndaj kompanive që po ndërtojnë rrugën do të bëhet me fondet e përfituara nga privatizimet e kompanive ARMO, OSSH, Albetelekom, etj. “Shpresojmë që procesi i privatizimit të kompanive strategjike të ecë mbarë dhe me të ardhurat nga ato, të mund të lehtësojmë buxhetin e vitit 2009, duke i paguar kompanitë deri në dhjetor”, - ishte shprehur zv/ministri. Por rritjet e herëpasherëshme të çmimit të rrugës po e përafrojnë atë me parashikimin që kishte bërë muaj më parë opozita, dy miliardë euro. Në kushtet e një krize globale, pashmangshmërinë e së cilës e konfirmoi edhe shefi i FMN-së për Shqipërinë, Geruin Bell, shifrat e mësipërme janë vërtet indinjuese. Nuk dihet ende se çfarë ndikimi mund të sjellë një përqendrim kaq i madh i parasë vetëm në një numër të kufizuar kompanish, të cilat paratë e marra nuk kanë në plan t’i investojnë në Shqipëri. Kjo situatë është komentuar edhe nga anëtari socialist i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Andis Harasani, i cili ka nxjerrë në pah rrezikun që i vjen ekonomisë vendase nga ky fakt. “Përqendrimi i fondeve vetëm në këto kompani mund të shkaktojë një tkurrje të ekonomisë shqiptare”, - është shprehur ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›