E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse duhet të na jepen me pagesë fotokopjet e leksioneve?

E nderuar redaksia e “Shekulli”-t! Jam një studente në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Po ju shkruaj pas një publikimi të një letre në gazetën “Shekulli” rreth shkeljeve që bënin disa nga pedagogët në universitetin tonë. Pas botimit në “Shekulli”, pati një reagim nga ana e tyre.

Pas reagimit, ne si studentë, e diskutuam këtë punë me një pedagog nga Tirana që na jep këtë vit mësim, gazetar që drejton një emision televiziv. Folëm për disa nga të drejtat dhe detyrimet që kanë pedagogët dhe studentët.

Është viti i tretë rresht që ne i marrim leksionet me fotokopje dhe çmimin e tyre e vendos vetë pedagogu! Për 30-40 faqe leksion na kërkohet 1.000 lekë të rinj, plus (çdo student që merr leksionin, shënon emrin, sepse përndryshe s’futesh në provim nëse s’e merr leksionin).

Madje ka ndodhur që ndonjë pedagog ndalon në mënyrë kategorike që ne t’i fotokopjojmë leksionet, të cilat janë veç fotokopje dhe jo libër.

Pedagogu ynë i ri nga Tirana, u shpreh se pedagogu ka detyrim ligjor që t’i japë leksionet pa lekë dhe jo me përfitim. “Kjo ndodh”, - tha ai,- “kur ju heshtni përballë atyre që ju marrin lekë për disa fotokopje që kanë detyrim t’i japin falas”! Vlen për t’u theksuar që nuk bëhet fjalë për të gjithë pedagogët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›