E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i Luftar Reçit, bullgarja: Kam frikë të vi të dëshmoj

 

BURREL - Mungesa e dëshmitares bullgare së kërkuar nga Luftar Reçi, njeriu i akuzuar për vrasjen e një shtetasi në vitin 2005, ka bërë që seance e djeshme të shtyhet. Burime të rezervuara pranë Gjykatës së Matit saktësojnë se megjithëse tre javë më parë ajo kishte deklaruar praninë e saj, në seancën e djeshme, të fundit të sigurimit të provave e dëshmive, ka dërguar në adresën e gjykatës së faktit një e-mail me anë të të cilit njofton se nuk do të ishte e pranishme. Thuhet se shtetasja e huaj është shprehur se pas bërjes publike në media, të faktit se ajo do të vinte në Shqipëri për të dëshmuar në favor të Luftar Reçit, është kërcënuar nga persona të panjohur. “Vetëm tre ditë para zhvillimit të seancës gjyqësore bullgarja me të cilën Reçi ka pasur lidhje të ngushta ajo kishte pranuar të vinte në Burrel. Madje drejtues të kësaj gjykate kanë kërkuar marrjen e masave nga policia e shtetit që ajo të sigurohej që nga pika kufitare e Hanit të Hotit e deri në Burrel. Mirëpo dje në mëngjes ka mbërritur njoftimi tjetër se ajo nuk pranon të vijë në vendin tonë për arsye sigurie”, sqaruan burime të sigurta pranë gjykatës së Burrelit. Seanca e djeshme në ngarkim të të pandehurit Reçi ka zgjatur shumë pak. Trupi gjykues i ka komunikuar atij mosparaqitjen e dëshmitares së kërkuar prej tij. Luftar Reçi ka ripërsëritur kërkesën e tij të mëparshme se shtetasja bullgare duhet të vijë në Shqipëri dhe të dëshmojë, duke aluduar se ditën e vrasjes së Maksim Lalës ai ka qenë nën shoqërinë e saj. Seanca është shtyrë për disa ditë më vonë, duke rikërkuar dhe një herë ardhjen e shtetases së huaj. Reçi akuzohet për vrasjen dhe djegien e Maksim Lalës 4 vjet më parë. Pritet që së shpejti për të të shprehur prokuroria e Burrelit.        h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›