E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin 9 mln në bankë

 

Etleva Delia

Persona të maskuar dhe të armatosur grabitën dje në mesditë filialin e një banke në zonën e Unazës të njohur si “Restorant Durrësi” në Tiranë. Grabitësit e maskuar, që besohet se janë në moshë të re, hynë në filialin e bankës,duke kërcënuar rojën dhe më pas njëri prej tyre është drejtuar tek arka. Nën kërcënimin e armës ai kërkoi paratë. Për të kërcënuar punonjësen e bankës, e cila ndodhej në sportel, njëri nga grabitësit i ka thënë se do të qëllonte nëse ajo nuk i fuste në çantë të gjithë shumën që ndodhej aty. Ndërkaq, grabitësi tjetër ka qëndruar tek dera e filialit, duke mbajtur nën vëzhgim rojën e sigurisë, i cili në këto kushte nuk ka mundur të ndërhyjë. Pasi kanë marrë të gjitha paratë që ndodheshin në kasë, që sipas punonjësve të bankës kapin shifrën e 9 milionë lekëve të vjetra, dy autorët janë larguar me shpejtësi, duke kaluar nga rruga “Siri Kodra”. Policia tha se në këtë zonë grabitësit janë pritur nga një makinë e cila është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët treguan se grabitësit dolën nga banka të maskuar dhe me pistoleta në duar dhe më pas u larguan me vrap.
GRABITJA
Ngjarja ndodhi në orën 14:10, kur në filialin e “Raiffeisen Bank”, pranë “Restorant Durrësit”, në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, hynë dy persona të maskuar dhe të armatosur me pistoleta. Njëri prej grabitësve është drejtuar nga punonjësit e arkës së bankës, duke e kërcënuar me armë ka kërkuar që t’i fusnin në çantë të gjitha paratë që ndodheshin në kasë. “Nëse nuk më jep të gjitha paratë që ndodhen aty, do të vras”, kështu e ka kërcënuar personi i maskuar arkëtaren. Bashkëpunëtori i tij ka qëndruar tek dera e bankës, duke mbajtur nën vëzhgim rojën dhe punonjësit e tjerë, si dhe duke u kërkuar të gjithë klientëve që të mos lëvizë askush. Sipas punonjësve të bankës, të cilët janë marrë në pyetje nga policia, arkëtarja mësohet të ketë nxjerrë nga arka shumën prej 900 mijë lekësh të reja dhe i ka futur në një çantë që grabitësi mbante me vete. Më pas personi i armatosur, që dyshohet se është rreth të 20-ve është nisur për të dalë nga banka duke e mbajtur pistoletën të drejtuar nga punonjësit, në mënyrë që ata të mos lajmëronin policinë. Sipas përshkrimeve që dhanë punonjësit e bankës dhe dëshmitarët, autorët e grabitjes janë në moshë të re, rreth të 20-ve, me trup mesatar. Këto janë të dhënat e para të marra nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes. Policia tha ka sekuestruar kasetat e kamerave të sigurisë që ndodheshin në bankë, por nuk është e sigurtë nëse nga imazhet e tyre do të realizohet identifikimi i grabitësve, pasi ata gjatë gjithë kohës, i janë shmangur vëzhgimit të kamerave. Burimet sqaruan se gjatë momentit të grabitjes në bankë kanë qenë rreth 12 persona, punonjës dhe klientë.

Dëshmitarët: Autorët me maska ikën drejt rrugës “Siri Kodra”

TIRANE - Grabitja e bankës në mesditë, u ka dhënë mundësinë shumë kalimtarëve të rastit dhe banorëve të zonës përreth “Restorant Durrësit”, që të shohin autorët në momentin që dilnin nga banka. Disa prej dëshmitarëve kanë treguar se kanë parë dy djem të rinj të maskuar dhe me pistoleta në dorë, që kanë dalë me shpejtësi nga filiali i “Raiffeisen Bank”. Sipas dëshmitarëve autorët nuk i priste ndonjë automjet aty pranë në rrugë. Grabitësit kanë lëvizur me vrap dhe kanë dalë tek kryqëzimi i unazës me rrugën “Siri Kodra”, më pas atje kanë arritur të fshihen duke hipur në një makinë. Ndërkohë askush nuk ka mundur t’i identifikojë, pasi autorët e krimit kanë realizuar grabitjen dhe janë larguar duke mos i hequr maskat në asnjë moment, për të mos i lënë mundësi dëshmitarëve të përshkruanin pamjen e tyre në polici. I vetmi detaj që dëshmitarët kanë dhënë për grabitësit, është mosha e re, rreth të 20-ve dhe trupi mesatar. Gjatë muajve të fundit krimi i grabitjes është rritur ndjeshëm në kryeqytet. Në shënjestër kanë qenë pikat e këmbimit valutor, filialet e bankave dhe argjendaritë apo dyqanet e mallrave të shtrenjtë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›