E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci me të shoqen, vetëhelmohet 50-vjeçari

 

LUSHNJE - Nuk përballoi dot divorcin me të shoqen, vetëhelmohet me fostoksinë. Sipas policisë së Lushnjës, 50-vjeçari Agim Qose është gjetur pa jetë në kodrat e këtij qyteti nga kalimtarë të rastësishëm. Këta të fundit kanë sinjalizuar menjëherë sallën operative për një njeri të vdekur. Duke dyshuar për ndonjë vrasje të mundshme, një grup ekspertësh të policisë kriminale u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes, ku konstatoi se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune apo edhe të ndonjë vrasjeje. Trupi i tij i çua në morgun e qytetit nga ku më pas mjekët ligjorë konstatuan se viktima kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme lënde vdekjeprurëse, fostoksinë. Mësohet se 50-vjeçari ishte tregtar mishi në qytetin e Lushnjës. Të afërm të familjes Qose deponuan në polici se Agimi, që prej divorcit rreth 6 muaj më parë me të shoqen, ishte mbyllur në vetvete, duke përjetuar një situatë të rëndë depresive. Ai nuk shkonte fare në dyqan dhe nuk fliste me askënd. Viktima Agim Qose ishte i martuar prej 23 vjetësh, ndërsa 6 muaj më parë ishte divorcuar për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin brenda familjes. Dy fëmijët, 20 dhe 18 vjeç ndodhen jashtë vendit, ndërsa viktima jetonte vetëm.                                                 m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›