Burrel, detergjenti i enëve helmoi fëmijët e kopshtit
BURREL/ HASAN PASHA
Detergjenti në pjatat e gotat e kauçukut helmoi 20 fëmijët e njërit prej grupeve të kopshtit nr.1 me drekë në Burrel. Specialistët e higjienës, pas alarmit të prindërve në këtë qytet nxorrën konkluzionet. Sipas tyre, ushqimet nuk kanë qenë burimi i helmimit masiv, por pikërisht enët që përdoren në kopshtin e fëmijëve. Ata shfaqën të vjella e diarre, pak minuta pasi kishin konsumuar drekën e së enjtes. Drejtoria e Higjenës pasi ka marrë masat e para për shërimin e fëmijëve ka “hetuar” në lidhje me shkaqet e helmimit masiv të fëmijëve. “Pasi kemi parë ushqimet e gatuara kemi krijuar idenë se helmimi nuk ka ardhur për shkak të cilësisë së ushqimit, por nga verifikimet tona rezulton se shkak i situatës së krijuar është larja e pjatave me detergjentë enësh, i cili është mjaft i dëmshëm për shëndetin e njerëzve në rastet kur enët nuk lahen si duhet. Nuk është rasti i parë kur fëmijë të kopshteve apo konviktorë helmohen vetëm se pjatat apo enët e tjera nuk lahen me ujë të nxehtë e të bollshëm krijojnë probleme kaq serioze. Ne dyshojmë gjithashtu se përdorimi i pjatave dhe gotave të kauçukut është një faktor më shumë për helmimin e fëmijëve të vegjël”, thanë burime të kësaj drejtorie. Mësohet gjithashtu se i është kërkuar bashkisë së qytetit të marrë masa urgjente për përmirësimin e kushteve në këtë kopsht që nga heqja e enëve prej kauçuku deri në detyrimin e punonjësve të kopshteve që ata të bëjnë më shumë kujdes me higjienën, pastrimin e mjedisit, zierjen e ujit të pijshëm si dhe mbajtjen pastër të banjave e mjediseve të tjera problematike të këtij kopshti. Prindërit e fëmijëve të helmuar janë shprehur se nëse situata nuk do të përmirësohet ata ndoshta nuk do t’i dërgojnë fëmijët në kopsht. Gjatë ditës së djeshme, fëmijët janë mbajtur në shtëpi. “Fëmijët nuk mund t’i dërgojmë në kopsht pa u normalizuar gjendja dhe pa u siguruar se bashkia do të marrë masa që raste të tilla të mos përsëriten”, janë shprehur prindër të fëmijëve. Nga ana tjetër, punonjësit e kopshtit nuk janë prononcuar për situatën e krijuar. Në fillim të këtij viti bashkia e qytetit të Burrelit rriti tarifën e trajtimit ushqimor të fëmijëve në kopshte e çerdhe ndërkohë gjendja e tyre mbeti ashtu siç ishte.