Lushnjë, dega e PS, gjashtë muaj pa kryetar
Zgjedhjet
Një pjesë e madhe e anëtarësisë së Asamblesë së Partisë Socialiste në Rrethin e Lushnjës është mbledhur urgjentisht mbrëmjen e kaluar. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura, dhe ndryshe nga takimet e mëparshme është braktisur selia e PS-së lokale dhe është preferuar nga organizatorët, që takimi të zhvillohet në mjediset e Muzeut Historik të qytetit.
Asambleja e PS-së së Lushnjës numëron 107 anëtarë. 73 prej tyre kishin firmosur më parë për mbajtjen e kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme. Takimi i jashtëzakonshëm i PS-së së Lushnjës është drejtuar nga Shefqet Ahmetaj, sekretar organizativ, si dhe është mbështetur nga sekretari i organizatës së PS-së së rrethit, Astrit Xheka. Po ashtu, në këtë mbledhje, ka marrë pjesë edhe një prej deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit të shkuar, Fatos Tushe. Mes kandidaturave të përzgjedhura është edhe ajo e kryetarit të bashkisë, Leonard Sanaxhaku, i cili ka fituar nën siglën e LSI-së, por u shkëput prej kësaj partie në muajin qershor, në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Por jo vetëm Sanxhaku është kandidat për kryetar që dikur ka qenë tek LSI-ja. Janë edhe disa emra të tjerë që, së bashku me të, u shkëputën nga Lëvizja Socialiste për Integrim si një kundërshti e hapur për kreun e saj, Ilir Meta. Ndërkohë që për pikën e zgjedhjes së kryetarit të ri të PS-së, mbledhja kaloi me debate të rigjenerueshme, për pikën e dytë të takimit, atë të qëndrimit zyrtar ndaj vendimeve të PSSH-së debatet kanë qenë me tone të ashpra. Brenda javës së ardhshme kjo degë lokale e PS-së do të dalë me një qëndrim zyrtar, si dhe me një kryetar të ri.
#