Lushnje, grabitet banesa e të moshuarëve

Dy persona me maska dhe të armatosur kanë kryer vjedhjen e një banese private në lagjen Kongresi i Lushnjes, në qytetin e Lushnjes. Sipas denoncimit të bërë nga çifti i të moshuarve Pilo dhe Violeta Kondakciu, përkatësisht 82 dhe 75 vjeç, vjedhja është bërë rreth orës 03. të mëngjesit të sotëm. Nën kërcënimin e pistoletave dy grabitësit kanë arritur të marrin rreth 600 mijë lekë të vjetra nga kursimet e të moshuarve. Sipas policisë së Lushnjes, grabitësit kanë hyrë nga dritarja e katit të parë të shtëpisë së vjetër dykatëshë të çiftit Kondakciu. Fillimisht ata kanë kapërcyer murin rrethues pa asnjë problem. Më pas kanë mundur të hapin lehtësisht hekurat e dritares në katin e parë dhe që prej andej kanë mundur të futen në dhomën ku po flinin dy të moshuarit. Të trembur në maksimun , Violeta 75 vjecare, i ka dorëzuar maskave 600 mijë lekë. Më pas ata kanë lajmëruar policinë e qytetit e cila menjëherë ka ardhur në vendngjarje. Sipas burimeve dyshohet se vjedhësit mund të jenë persona që i njihnin mirë të moshuarit, përderisa ata njihnin me saktësi çdo hyrje të shtëpisë. Çifti i të moshuarve Kondakciu, jetonte i vetëm në një banesë të vjetër dykatëshe.