E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Përgjithshme i dërgon akuzën Bashës

Pak orë pasi avokati Zef Nikaj publikisht konfirmoi se mbi ministrin Basha nuk ka asnjë akuzë, Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme njoftoi se e ka dërguar me postë aktakuzën ndaj tij në ministrinë e jashtme. Dokumenti me disa faqe u dërgua pas mosparaqitjes së ish-ministrit një ditë më parë në prokurori. Sipas prokurorisë, këto shkelje janë kryer gjatë kohës kur zoti Basha ishte Ministër i Transporteve dhe kanë të bëjnë me procedurat e ndjekura për prokurimin, tenderimin dhe financimin e segmentit Rrëshen- Kalimash të rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria vendosi t'ia dorëzojë materialin me postë zotit Basha pasi ai nuk u paraqit të enjten në Prokurorinë e Përgjithsme. Sipas prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit kap vlerën 230 milionë euro. Përmes avokatit të tij, zoti Basha paditi Prokurorinë e Përgjithshme për shkelje të ligjit dhe kërkoi pavlefshmërinë e akteve proceduriale në gjykatën e shkallës së parë.
E ashtuquajtura 'çështja Basha" po e nxeh dita-ditës më shumë debatin politik në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetet e shumicës akuzojnë prokurorinë se për arsye politike po e mban të hapur këtë çështje. Ndërsa deputetet e opozitës i kanë bërë thirrje prokurorisë që ta zbardhë atë sa më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›