E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, kamionisti i dehur i merr jetën shokut të tij

Një aksident i rëndë me pasojë
vdekjen e një 39-vjeçari dhe
plagosjen e një tjetri ka
ndodhur mesnatën e së shtunës
në Rrethin e Lushnjës. Aksidenti fatal
ndodhi në rrugën Divjakë-Çermë, në
vendin e quajtur Çermëpasha.
Mësohet se shtetasi Agron Veliu, lindur
e banues në Delvinë, ka gjetur vdekjen pas
përplasjes së mjetit me të cilin udhëtonte,
ndërkohë që shoku i tij, i cili drejtonte mjetin,
është larguar i plagosur nga vendi i
ngjarjes dhe policia është vënë në kërkim
të tij. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë
së Lushnjës bënë të ditur se 39-vjeçari
Agron Veliu po udhëtonte rreth orës 00:30,
nga Divjaka në drejtim të Çermës. Ai ishte
pasagjer në kamionin që drejtohej nga shtetasi
Adriatik Shuli, i cili ka humbur kontrollin
e mjetit e për pasojë ka dalë nga rruga.
Kamioni është përplasur me një pemë
dhe për pasojë ka gjetur vdekjen Agron
Veliu dhe është plagosur drejtuesi i mjetit
Adriatik Shuli.
Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur
se ndihma mjekësore ka qenë e kotë për
viktimën, pasi gjeti vdekjen gjatë rrugës
për në spital. Ndërsa drejtuesi i mjetit,
edhe pse i plagosur, është larguar nga vendi
i ngjarjes. Policia e Lushnjës e ka identifikuar
atë në bazë të dokumenteve që ka
gjetur në automjet dhe ka ngritur për të
akuzën e "shkeljes së rregullave të
qarkullimit rrugor".
Të dy personat ishin shokë dhe ktheheshin
nga një darkë në Divjakë. Mendohet
se përgjumja e shoferit, për shkak
edhe të gjendjes së dehur, bëri që makina
të dilte nga kontrolli e të përplasej me trungun
e trashë të një peme. Zhurma e shkaktuar
nga përplasja nuk është dëgjuar nga
banorët pranë zonës. Ishin shoferë të rastësishëm,
që përshkonin aksin ku ndodhi
aksidenti në orët e vona, ata që kanë dhënë
edhe ndihmën e parë.
Në polici, njoftimi për aksidentin mësohet
të jetë bërë nga shoferi që është larguar
prej vendit të ngjarjes, i cili shpresonte që
shoku i tij të shpëtonte. Viktima, Agron Veliu,
baba i dy fëmijëve, kishte udhëtuar në
drejtim të Lushnjës paraditen e së shtunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›