E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, paralajmërimi

Një numër i madh subjektesh të biznesit të vogël në Lushnjë rezultojnë debitore ndaj degës së tatim-taksave të bashkisë së këtij qyteti. Të dhënat zyrtare nga ky institucion flasin për 300 biznese që kanë detyrime të pashlyera. Një pjesë e madhe e këtyre subjekteve nuk i është drejtuar zyrës së tatimeve për riregjistrim, ndërkohë që pjesa tjetër nuk ka paguar detyrimet tatimore për 6-mujorin e parë të vitit 2009 dhe vijon me të tillë problem edhe për 6-mujorin e dytë. Duke u nisur nga kjo situatë, drejtuesit e Bashkisë së Lushnjës kanë kërkuar nga inspektorët e tatimeve, si dhe agjentët e policisë bashkiake, aksion për ndërgjegjësimin e biznesit, si dhe sanksionimin e atyre subjekteve që kundërshtojnë pagimin e detyrimit. Agron Hajdari, shef i policisë bashkiake të Lushnjës, shpjegon se që prej dy ditësh kanë nisur inspektimet në terren, në një kohë që bizneset debitore kanë vetëm 5 ditë afat për të shlyer detyrimet dhe regjistrimin. "Gjatë dy ditëve të aksionit të përbashkët mes policisë bashkiake dhe departamentit të tatimeve, kemi ‘krehur‘ me kontrolle dhe njoftime të gjitha ato biznese që ushtrojnë aktivitetin në rrugët kryesore të qytetit. Pas njoftimit dhe detyrimit të tyre për të shlyer debitë, do të vijojmë me aksione deri tek ato biznese që janë edhe në lagjet periferike dhe të brendshme", ka thënë Hajdari. Numri i bizneseve debitore është rritur shumë në Lushnjë, duke ua bërë punën më të vështirë organeve të taksave. Nëse situata nuk ndryshon, bashkia e Lushnjës parashikon marrjen e masave të ashpra ndëshkuese, si mbyllje aktiviteti apo ndjekje penale. Qyteti i Lushnjës vetëm brenda vijës së verdhë regjistron 589 subjekte të biznesit të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›