E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri inauguron zgjerimin e aeroportit "Nënë Tereza"

Qeveria ka hyrë në bisedime me palën gjermane për të rishikuar kontratën koncesionare me TIA-n, në mënyrë që të lejohet ndërtimi i ndonjë aeroporti tjetër për fluturime pasagjerësh. Sikurse dihet, marrëveshja e lidhur nga ish-qeveria socialiste, u lë të drejtën ekskluzive gjermanëve të TIA-s për të mos lejuar asnjë kompani të tjetër që të ngrejë aeroport të hapur ndërkombëtar pasagjerësh. Për këtë shkak, aeroporti i Kukësit nuk është vënë ende në funksion, edhe pse ka kohë që ka përfunduar, ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të thërrasë investitorë të huaj për të ndërtuar aeroporte të tjera, për aq kohë sa kontrata koncesionare lejon vetëm TIA-n të operojë në këtë fushë. Në këtë situatë, Kryeministri Berisha i kishte të gjitha mundësitë dje që të sqaronte publikun nëse ka shanse apo jo për të rishikuar kontratën, e cila është të paktën 20-vjeçare. Kryeministri ishte i pranishëm në inaugurimin e terminalit të ri të pasagjerëve, i zgjeruar falë investimit 20 milionë euro të bërë nga gjermanët e HOCHTIEF AirPort (HTA) dhe DEG "Deutsche Investitions- und Entwicklungsgesellschaft", bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan. Në total, ky grup shoqërish ka investuar 70 milionë euro brenda pesë viteve, duke e kthyer Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës në "pasaportën e Shqipërisë", sikurse u shpreh Kryeministri.

Rreth një vit më parë, "Shqip" zbuloi përmes Ministrisë së Transportit se kishin negociatat për rishikimin e kontratës. Vetë qeveria shqiptare e pranon defektin e krijuar vite më parë, nisur edhe nga fakti për të tërhequr investitorë strategjikë, sikurse dhe ndodhi. Por tani, kur vendi ndodhet në fazën e zhvillimit, në pika strategjike gjeopolitike, ndikuar nga faktori i turizmit, prania e një aeroporti të vetëm përbën handikap të madh. Vetë Berisha i ka cilësuar pak kohë më parë negociatat si tepër delikate, duke shpresuar për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe pozitive. Kurse dje shmangu qëndrimet rreth kësaj çështjeje, duke uruar investitorin të vazhdojë punën e mirë, sikurse e ka nisur këto 5 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›