E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, pi fostoksinë pas “sherrit” me nënën për veshjet

Tri femra të moshave 15, 24 dhe 32 vjeçe janë vetëhelmuar ditën e djeshme në qytetin e Lushnjës. 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

 Doza e helmit të konsumuar i ka marrë jetën njërës prej tyre, ndërsa dy të tjerat pas ndërhyrjes së mjekëve i kanë bërë ballë vdekjes. Burime të policisë bënë të ditur se, Shqipe Dani, 15 vjeçe ka humbur jetën pas konsumimit të një sasie të konsiderueshme fostoksine. Sipas të dhënave paraprake, e mitura e ka ndërmarrë veprimin fatal, pas një debati me nënën e saj. Mamaja e vajzës i ka sugjeruar të mos vishet në mënyrë ekstravagante, pasi është ende e vogël. Mospranimi i këtij fakti nga ana e 15-vjeçares ka bërë që ajo të reagonte, duke treguar se ishte e rritur dhe se nuk do të lejonte askënd të ndërhynte në jetën e saj. Pas pak minutash ajo është gjetur nga familjarët, në gjendje të rëndë. Edhe pse të afërmit e kanë shoqëruar menjëherë vajzën për në spitalin e Lushnjës, ajo nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes, pasi sasia e madhe e fostoksinës së konsumuar ia kishte kontaminuar trupin plotësisht. Po dje, Edlira Leka ka tentuar të vetëvritet. Sipas policisë 24-vjeçarja Leka ka konsumuar një sasi të madhe medikamentesh mjekësore. Të afërm të familjes kanë bërë të ditur se  24-vjeçarja kishte disa kohë që shfaqte sjellje të një gjendjeje të rënduar mendore. Sipas tyre, nuk dihet se cilët kanë qenë faktorët që ndikonin në këtë gjendje të saj. Ata kanë pohuar se, Leka ishte një njeri i qetë dhe që nuk kishte probleme me familjen. Ditën e djeshme, pasi ka konsumuar sasinë e medikamenteve ajo është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës. Pas ndërhyrjes së mjekëve ajo i ka shpëtuar vdekjes.  Edhe Fatmira Gega, banore e Lushnjës ka vendosur dje të vetëhelmohet duke konsumuar medikamente mjekësore në sasi të madhe. Sipas të afërmve të saj, 32-vjeçarja prej kohësh vuante nga një gjendje e rëndë psikike, duke treguar shenja agresiviteti ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes. Gega ishte shprehur disa herë se jeta që bënte, e mbyllur në shtëpi e kishte stresuar pa masë. Ajo kishte shumë vite që jetonte në këtë mënyrë, duke mos i lejuar vetes as kënaqësinë e të dalurit nga muret e shtëpisë së saj në qytetin e Lushnjës. Pas konstatimit të veprimit që kishte kryer, ajo është dërguar nga familjarët në spital, ku pas ndërhyrjes së mjekëve gjendja e saj shëndetësore i është rikthyer normalitetit. Policia ndërkohë ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve në të treja rastet e vetëhelmimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›