E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, i mundshëm! Pa pikëpyetje!

Martin Leka 

Më shumë se debat, ndryshimet e fundit kushtetuese po kthehen në qëndrime. Qëndrime pro apo kundra këtyre ndryshimeve. Ajo që spikat së fundmi në disa prej opinioneve, madje edhe të ndonjë “specialisti kushtetues”, është pikërisht qëndrimi diabolik: ndërsa ndryshimet kushtetuese kritikohen e kontestohen si për mënyrën e ndryshimeve, ashtu edhe për substancën e tyre, konkluzioni mbetet se kjo gjë tashmë ndodhi, u bë, askush nuk mund të bëjë gjë për të rregulluar gabimin, kështu vendosën deputetët… Madje gjykimet për nismën për një Referendum popullor kundra ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë po bëhen shpeshherë qesharake, duke përdorur lloj-lloj “alibish” për të justifikuar qëndrimin “kundra”…
Problemi i qëndrimeve, (apo dhe opinioneve) që kanë të bëjnë me ndryshimet e fundit kushtetuese në Parlament, nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektin ligjor, por më tepër kanë të bëjnë me parime demokratike në një shtet ligjor. Pikërisht këto të fundit, pra parimet demokratike, duket qartë se janë cenuar rëndë në këto ndryshime me anë të ligjit për amendimet kushtetuese. Nuk po zgjatemi me shtjellimet e mëtejshme, të cilat përmblidhen me deformimin e demokracisë së republikës nga parlamentare, të cilësuar në “kryeministrore”!
Tani, meqenëse gjithkush po merret me analizimin e neneve të Kushtetutës, po i referohem edhe unë Kushtetutës. Në nenin 2 të saj shprehet qartë se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Më tej, kushtetuta shprehet se Populli e ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të tij, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Në thelb, duket tepër e qartë e shprehur në Kushtetutë se organi suprem shtetëror është Parlamenti. Për këtë lloj republike ka votuar populli dhe jo për republikën “kryeministrore”.
Duke u kapur pas disa percepsioneve që nuk të çojnë në gjykime të drejta e që shmangin thelbin e problemit, mbrojtësit e “republikës kryeministrore” thonë se kushtetutën duhet ta ndryshojnë deputetët (i referohen më së shumti nenit 177, duke mos e analizuar (ndoshta qëllimisht) me dhe në funksion të neneve të tjerë, të cilët si e tërë e jo veçmas, përbëjnë edhe frymën e Ligjit Themeltar të Shtetit ku sanksionohet Republika Parlamentare)!
Për të gjithë duhet të jetë e qartë një gjë: Kushtetuta është votuar me referendum popullor. Deputetët, si përfaqësues të popullit (dhe jo të Dushkut), nga e kanë marrë mandatin përfaqësues? Nga populli. Po pse atëherë për këto ndryshime thelbësore kushtetuese nuk duhet të pyetet populli?! Si ka mundësi që dy njerëz, Berisha dhe Rama e ndryshuan kushtetutën për tri ditë?! Apo këta deputetët që votuan pro këtyre ndryshimeve, pse nuk bënë ndonjë fushatë sqaruese në popull për ndryshimet e bëra? Ndërkohë, për ata që vazhdimisht i referohen nenit 177 të Kushtetutës, (…Kuvendi me dy të tretat e gjithë anëtarëve të tij mund të vendosë që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum… Më tej ky nen parashikon se amendamenti kushtetuese detyrimisht i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e gjithë anëtarëve të Kuvendit…) ky nen nuk thotë se kjo është e vetmja mënyrë për ndryshimet kushtetuese, por sqaron se cila është rruga parlamentare për Referendumin. Pikërisht nën këtë frymë dhe bazuar në nenin 150 të Kushtetutës, i cili sanksionon mundësinë e referendumit me mbledhjen e 50 mijë firmave të qytetarëve me të drejtë vote, po ushtron të drejtën e tij legjitime edhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Duke u munduar të fshihen pas “panoramës juridike”, ata që rreshtohen kundra referendumit për kundërshtimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, (më vjen keq që edhe kolegu Zaloshnja dje në një shkrim e vlerëson si “praktikisht të pamundur” mundësinë e një referendumi të tillë) duhet të jenë të qartë për rrjedhojat apo pasojat që mund të vijojnë në të ardhmen pikërisht nga këto ndryshime kushtetuese. Zaloshnja thotë në funksion të pamundësisë praktike të një referendumi se “…është praktikisht e pamundur të gjendet një shembull nga kjo histori, kur në një vend ku respekton shtetin ligjor, të jenë bërë amendime kushtetuese  duke përdorur nene të tjerë përveç atyre që përcaktojnë procedurën e amendimeve kushtetuese. Në vende diktatoriale, po, kjo gjë ka ndodhur…”. Po mirë, mirë që ne qenkemi një “vend ku respekton shtetin ligjor”, por a mos vallë kjo “diktatura” (autoritarizëm besoj absolutisht) do të na vijë pikërisht pas këtyre ndryshimeve, me republikën kryeministrore?!

* * *
Si përfundim, gjithë mënyra, koha dhe “produkti” i këtyre ndryshimeve kushtetuese mendoj i bindur se janë një deformim serioz e kërcënues për demokracinë e brishtë shqiptare, pa lënë mënjanë edhe performancat politike, shpesh të deformuara drejt autoritarizmit, të dy prej aktorëve kryesorë të kësaj historie, Berishës e Ramës. Shqetësimi qytetar buron nga fakti se duke diktuar mbi deputetët, këta të dy, po përmes deputetëve, (me alibinë e përfaqësuesve të popullit) mund të marrin shumë vendime të tjera, pa e pyetur fare popullin. Mund të marrin vendim që “zgjedhjet e reja të bëhen pas 20 vjetësh”, për shembull?!... Mund të vendosin që “të botohen vetëm dy gazeta”, për shembull (në këtë rast shqetësimin e kam edhe thellësisht privat e jetik, pasi nuk do kem ku të shkruaj)?!…
Së fundmi, kundërshtimet për një referendum popullor nuk bëjnë gjë tjetër, përveçse krijojnë përshtypjen dashakeqe se “ky popull është injorant; ky popull nuk kupton gjë nga demokracia”…
Përndryshe, pse janë dyshues e mosbesues ndaj tij?! 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›