Lushnje, pranga vëllezërve, vodhën kabllin elektrik
LUSHNJE- Dy vëllezër nga Lushnja janë arrestuar dje nga policia lokale për vjedhje të kabllit elektrik. Burimet zyrtare të policisë pohuan se Fatos Çela, 45 vjeç, me profesion elektricist dhe vëllai i tij, Gazmend Çela, 32 vjeç, në bashkëpunim me njeri-tjetrin janë ndaluar nga policia e rendit se kanë përvetësuar një sasi të konsiderueshme kablli elektrik. Sipas burimeve nga policia, dy vëllezërit Çela hetoheshin prej disa muajsh, pasi uniformat blu kishin informacionin e duhur për vjedhjen e pasurisë së KESH-it në shuma të mëdha dhe për këtë ndaj tyre kishte dokumente shkresore që e vërtetonin. Vjedhësit janë kapur në flagrancë një ditë më parë teksa ishin duke marrë një kabëll elektrik që ishte pronë e komunës së Golemit. Vjedhja sistematike e vëllezërve është favorizuar nga Fatosi, i cili është punonjës elektrik në këtë komunë. Nga komuna e Golemit thonë se punonjësve elektrik u janë vjedhur shpesh pajisje të ndryshme, por nuk dyshonin se vjedhësin e kishin mes tyre. Të ndaluarit nga policia e Lushnjes nuk kanë reaguar pas arrestimit, por kanë pritur komunikimin zyrtar dhe akuzën ndaj tyre. Burime të policisë bëjnë të ditur se KESH ka bërë denoncime të shpeshta lidhur me vjedhjet e rëndomta që bëhen ndaj institucionit të tyre. Veç vjedhjes masive të rrjetit elektrik sidomos në komuna, në qytet janë thyer masivisht dyert e kabinave elektrike në lagje, të cilat vjedhësit i shesin pjesërisht për skrap. Përgjegjësi i degës së KRSH-it në Lushnje, Sali Murrizi, thotë se "vjedhjet e linjave elektrike nga njerëz të papërgjegjshëm po na dëmtojnë shumë. Duhen miliona lekë për zëvendësimin e tyre. Kemi sensibilizuar edhe opinionin për ketë punë, por asgjë nuk po rregullohet. Zëvendësimi i pajisjeve elektrike të vjedhura duhen bërë sepse ne nuk mund të penalizojmë të gjithë komunitetin, por që të bësh blerje të paplanifikuara duhen para dhe këto dalin nga taksapaguesit".