E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, policia "tymos" 1364 kg hashash

Pas dënimit të kultivuesve, uniformat blu kanë vendosur asgjësimin e provës materiale që ishte bimë narkotike

GJIROKASTËR- Një sasi prej 1364 kilogramë drogë është asgjësuar me djegie dje në Gjirokastër. Bëhet fjalë për të gjithë sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar nga blutë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut përgjatë dy viteve, qysh nga 2005 deri më 2007. Asgjësimi është kryer nën masa të rrepta sigurie dhe në flakë kanë përfunduar 1346 kilogramë marijuanë dhe 18 kilogramë heroinë. Burimet policore kanë bërë të ditur se asgjësimi i kësaj lënde narkotike, e cila është e sekuestruar në cilësinë e provës materiale është bërë pasi, Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimeve penale të kësaj gjykate për gjashtë vepra penale të cilat kanë marrë vendim të formës së prerë. Kanë qenë Prokurorët e Seksionit të Zbatimit të Vendimeve Penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe ekspertët e kriminalistikës së këtij institucioni ata që kanë asgjësuar provat e 6 vendimeve penale. "Kjo sasi lënde narkotike është sekuestruar nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër në disa prej aksioneve të zhvilluara gjatë viteve 2005 deri në 2007, ku për këto procedime ka përfunduar hetimi dhe gjykata është shprehur me vendim të formës së prerë. Ndërsa për sasinë tjetër të kapur në aksionet e tjera, asgjësimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale do të bëhet pasi gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë",- ka theksuar zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai. Për të gjashtë rastet e procedimeve penale, të mbyllura zyrtarisht tashmë nga drejtësia shqiptare, po vuajnë dënimin me heqje lirie 10 autorë të cilët kanë rezultuar të implikuar në këto vepra penale, prej të cilëve 3 autorë për trafik heroine dhe 7 për trafik lëndë narkotike të llojit marijuanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›