"Lustracioni", Kushtetuesja nis shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese pritet të marrë sot në shqyrtim kërkesën e më shumë se 28 deputetëve të Kuvendit për të shpallur si të papajtueshme e Kushtetutën, ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve". Në këtë kërkesë, deputetët e Kuvendit kërkojnë pezullimin e zbatimit të këtij ligji. Aktualisht ligji, edhe pse i miratuar nuk mund të zbatohet për shkak të një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate për ta pezulluar atë. Vendimi është marrë në datën 16 shkurt dhe sot është seanca e parë që zhvillohet për shqyrtimin e ankimimeve që kanë mbërritur në zyrat e kësaj Gjykate. "Duke çmuar se zbatimi i ligjit mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës të hyjë në fuqi", është shprehur zëdhënësja e gjykatës, Edlira Abazi, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e tij. Gjykata vendosi ndërkohë që për këtë çështje të kërkojë edhe opinionin e Komisionit të Venecias, një organ ekspertësh ligjorë të Këshillit të Evropës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë një sërë reagimesh sidomos nga mazhoranca. "Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i lejuan vetes të marrin vendim në konflikt të hapur interesi, në kundërshtim flagrant me çdo standard të një vendi të lirë", është shprehur Kryeministri Berisha. Në Gjykatën Kushtetuese janë tre ankimime kundër këtij ligji, një prej disa deputetëve të Kuvendit, një kërkesë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe një tjetër kërkesë nga shoqatave e prokurorëve. Ligji i lustracionit hapi mjaft debate në Kuvend, por edhe mes partive politike. Opozita dhe mjaft zëra të faktorit ndërkombëtar u shprehën kundër tij, duke i kërkuar kreut të mazhorancës që të mos e miratojë.