Veliaj: Të gjithë të barabartë për të drejtën e votës
Kreu i G99, Erjon Veliaj, dhe aktivistë të tjerë kanë ndaluar dje në një takim me banorët e Komunës Krutje, në Qarkun e Lushnjës. Duke folur në këtë takim, Veliaj theksoi se beteja më e madhe e opozitës aktuale është ajo për kartat e identitetit falas. "Çdo shqiptar duhet të jetë i barabartë për të drejtën e votës, qoftë ky i varfër apo i pasur, i veriut apo i jugut, i fshatit apo i qytetit. Departamenti i Shtetit Amerikan dhe ambasadori anglez në Shqipëri janë vetëm disa prej atyre që kemi kontaktuar dhe ka pasur edhe prononcime, ku reagimi ka qenë shumë i qartë dhe të tjerë do të reagojnë së shpejti", theksoi Veliaj. Drejtuesi i G99 përmendi edhe njëherë tri çështjet kryesore për të cilat G99 ka rënë dakord të jetë në koalicion me partinë më të madhe të opozitës: rritjen e buxhetit të arsimit, nxitjen e alternativave për punësimin e të rinjve, si dhe garantimin e së drejtës së emigrantëve për të votuar.