E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lustracioni” shqiptar në përballje me eksperiencën gjermane

Zhvillohet konferenca me temë: “Kapërcimi i së kaluarës - Zgjidhja e çështjes së dosjeve të sigurimit të shtetit në Gjermani dhe Shqipëri”. S’jepen receta për secilin shtet, por mbështetet përpjekja e mazhorancës për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemeve që trashëgohen nga metastazat e diktaturës, gjatë tranzicionit demokratik

Një konferencë e vlerësuar si shumë e rëndësishme, e cila sipas shumë të pranishmëve rezulton të jetë e vetmja në llojin dhe përmasat e saj gjatë këtyre 18 viteve pas rënies së monizmit në Shqipëri, u zhvillua dje në një nga sallat e Hotel Tiranës, në kuadër të Javës së Kulturës Gjermane në Shqipëri. Ajo mbante titullin “Kapërcimi i së kaluarës - Zgjidhja e çështjes së dosjeve të sigurimit të shtetit në Gjermani dhe Shqipëri”. Konferenca ishte organizuar falë iniciativës së ndërmarrë nga ana e Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe Fondacionit gjerman Friedrich-Ebert, në bashkëpunim më Zyrën Federale për Trajtimin e Dokumentacionit të Stasit-t (ish-Sigurimit të shtetit gjermanolindor). Ajo risolli edhe një herë më me forcë në vëmendjen e palëve të interesuara, klasës politike në vend, mediave dhe publikut shqiptar, diskutimin mbi rëndësinë e trajtimit të problemit të hapjes së dosjeve të ish-sigurimit famëkeq të shtetit, duke u përballur edhe me eksperiencën gjermane. Konferenca moderohej nga gazetarja gjermane e kanalit të dytë publik gjerman ZDF, Patricia Schaeffer. Në aktivitet ishte i pranishëm dhe z. Alfred Diebold, drejtor i Fondacionit Friedrich-Ebert, i cili në hyrje të konferencës i bëri një prezantim të shkurtër rëndësisë së trajtimit të kësaj çështje dhe i uroi mirëseardhjen të ftuarve, duke i ftuar drejt një debati frytdhënës.
Ambasadori Gjerman në Shqipëri z.Bernd Borchardt, i cili hapi dhe konferencën, pas përshëndetjes dhe falenderimeve të rastit, u shpreh se, “ky është një problem, i cili duhet trajtuar në disa aspekte, qofshin këto politike por dhe historike”. Ndër të tjera ai shtoi se, “dosjet duhet të jenë të hapura për qëllim studimor dhe politik, të mund të shihen nga persona të prekur nga ky fenomen, siç mund të jenë gazetarë, studiues, duke theksuar evitimin e keqpërdorimit të tyre”.
Më pas fjalën e mori edhe e ftuara kryesore në këtë konferencë, zonja Marianne Birthler, shefja e Zyrës Federale për Dosjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të ish-Republikës Demokratike Gjermane, e cila në fjalën e saj bëri një rezyme të punës dhe funksioneve më të rëndësishme që përmbush institucioni që ajo drejton duke theksuar se, “në arkivat që ne zotërojmë, ndodhen dosjet e Ministrisë së Sigurimit të RDGJ-së dhe për arsye të ndryshme ato vendosen në dispozicion të individëve të përndjekur, institucioneve dhe publikut, nën rregulla të rrepta ligjore”. “Në këtë mënyrë Zyra jonë ndihmon në trajtimin historik, politik, juridik dhe shoqëror të diktaturës së Unionit Socialist Gjerman, ish-partisë-shtet në Lindje të Gjermanisë, dhe nxit përballjen publike me idetë dhe strukturat totalitare”- tha zonja Birthler. E ardhur nga radhët e ish-lëvizjeve disidente në ish-RDGJ, ajo dha edhe detaje të rëndësishme mbi mënyrën se si është proceduar gjatë këtyre viteve me procesin e lustracionit, numrin e personave të përndjekur nga diktatura dhe atyre të interesuar të shihnin dosjet e tyre, duke theksuar se eksperienca gjermane ishte ndër më të veçantat për nga natyra dhe koha në të cilën nisi (ajo nisi që në fillim të viteve ‘ 90).
Sipas saj, tashmë është ngritur edhe një rrjet i gjerë bashkëpunimi mes institucionit të saj dhe atyre analoge në ish-Lindjen komuniste. Gjatë diskutimit në panel, ajo theksoi ndër të tjera edhe se synimi i saj nuk ishte aplikimi i eksperiencës gjermane në Shqipëri, por thjesht njohja me këtë eksperiencë, e cila jo vetëm daton më herët se gjithë të tjerat në krahasim me vendet e tjera në Europën Qendrore e Lindore, por edhe sepse është dëshmuar si njëri nga proceset më të rregullta ligjore në mbarë ish-hapësirën komuniste. Në fillim të fjalës së saj, zonja Birthler u shpreh se hapja e dosjeve u bë me kërkesë të vetë popullit të ish-Gjermanisë Lindore, me anë të votimit të deputetëve të ish-Kuvendit të Popullit, dhe nuk erdhi si pasojë e ndonjë presioni politik të ushtruar nga RFGJ-ja, siç mund të mendojë shumëkush në mënyrë apriori. Ajo shtoi se administrata që ajo kryeson, është një institucion i pavaruar e që i përgjigjet vetëm Parlamentit. Zonja Birthler foli për punën që është bërë për ruajtjen dhe dokumentimin e kilometrave dosje të Stasi-t, fotove, filmave e materialeve dokumentare dhe përpjekjen që e gjithë përpjekja e institucionit të saj të mos sjellë një luftë të re klasash. “Në asnjë rast nuk është raportuar ndonjë hakmarrje, pasi qytetarët e interesuar janë njohur me dosjet e tyre dhe krimet e ekzekutorëve të tyre”, theksoi shefja e Zyrës Federale për Dosjet e Stasi-t.
Zonja Birthler theksoi ndër të tjera se edhe në Gjermani pas rrëzimit të diktaturës komuniste, hasen raste kur ish-oficerë të Stasit janë shpërblyer me pensione të majme e janë bërë edhe padrejtësira në trajtimin moral apo financiar të viktimave të Stasi-t.
Më pas në një panel të lirë diskutimi, fjalën e morën disa përfaqësues të shtresës të të persekutuarve politikë, të cilët me tone relativisht të ashpra, theksuan se përsa i përket Shqipërisë, është bërë fare pak në këtë drejtim dhe falenderuan iniciativën e Ambasadës gjermane. “Iniciativat e ndërmarra në Shqipëri për problemin e dosjeve, shpesh janë lënë në harresë apo janë mbytur plotësisht, si pasojë e makinacioneve politike të krahut të majtë, mbartës direkt i trashëgimisë së turpshme të regjimit monstruoz të Enver Hoxhës dhe veglës tij të verbër, Sigurimit të Shtetit”, theksuan ata. Ekzekutorët e djeshëm janë sot në Parlament, në biznes e kanë kryer gjatë këtyre viteve funksione të larta shtetërore, pa u hyrë “një gjemb në këmbë” dhe zgjidhja e këtij problemi, sipas tyre, do të mund të vinte në vend të paktën moralisht nderin e nëpërkëmbur të tyre, theksuan ata, duke u shprehur se sidoqoftë, shumëkush prej tyre tashmë i kishte humbur plotësisht shpresat se ky proces do të njihte ndonjëherë suksesin e dëshiruar.
Gjatë seancës së dytë, në podium u ftuan deputetët e Parlamentit shqiptar, Aleksandër Biberaj e Taulant Balla, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, Prof. Dr. Ajet Shahu nga Universiteti i Tiranës, përfaqësues të shoqatave të të persekutuarve politikë, të Zyrës së Avokatit të Popullit, të Qendrës Shqiptare të të drejtave të Njeriut etj. Gjatë fjalës së tij mbi mënyrën e funksionimit të strukturave të Sigurimit të Shtetit dhe fation e dosjeve të trashëguaraprej tij, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi u ndërpre disa herë nga përfaqësuesit e shoqatave të ish-persekutuarve politikë, të irrituar nga konkuluzionet e tij në lidhje me këtë çështje. Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, theksoi pas fjalës së deputetit të PS-së, Taulant Balla, se Partia Socialiste pas ardhjes në pushtet në vitin 1997, e relativizoi këtë problem derisa e çoi thuajse në harresë me dashje dhe me ardhjen e PD-së në pushtet, u vazhdua rruga e nisur që në 1995. Ai theksoi rëndësinë e përmbushjes së rezolutave të KE-së mbi dënimin e krimeve të komunizmit dhe u shpreh për hapjen përfundimtare e të bazuar plotësisht në ligj të dosjeve të ish-Sigurimit, në mënyrë që këtij problemi t’i vihet një herë e mirë kapaku.
Konferenca ngjalli interes të madh në mediat shqiptare dhe u vlerësua si një shtytje drejt zgjidhjes së problemit të lustracionit, i cili është dëshmuar gjatë këtyre viteve si shumë i mprehtë në vendin tonë. Ndër të tjera, referentët dhe të ftuarit me diskutimet dhe pyetjet e tyre, vunë në dukje se rasti i Shqipërisë, është një “sui generis”, për shkak të egërsisë me të cilën regjimi monist ushtronte dhunën e tij dhe vështirësinë që paraqet operimi ligjor në një vend të vogël e me një shtresë relativisht të gjerë të persekutuarish, të cilët edhe në aspektin financiar është e vështirë të kënaqen. Përpos kësaj, u theksua se vullneti politik ka njohur ngecje të thellë në njërin krah të politikës shqiptare, e cila ka bllokuar vazhdimisht iniciativat ligjore që mund të çonin në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Në mbrëmje, në orën 18.00, në ambientet e Kinema Millenium në Tiranë, u shfaq për pjesëmarërsit në konferencë edhe filmi i regjizorit gjerman, Florian Henckel, “Jeta e tjetrit”, nderuar me Çmimin “Oscar”, i cili trajton denigrimin e jetës dhe uljen e dinjitetit njerëzor nën kushtet e dhunës psikologjike në diktaturë. Më pas u kalua në një diskutim të hapur rreth filmit në fjalë, me të ftuarën e nderit, të kësaj mbrëmjeje, Zonjën Birthler.

Administrata “Birthler” - Si funksionon dhe çfarë është Zyra Federale për dosjet e Stasi-t

E njohur më shumë si Zyra “Birthler” (Birthler-Behoerde), ajo ka nisur veprimtarinë e saj në vitin 2000, pasi pasoi në këtë detyrë, pastorin gjerman, aktivistin e të drejtave të njeriut në ish-RDGJ, Joachim Gauck. Zyra me atributet e një komisioni të veçantë, të specializuar në trajtimin e dosjeve të ish-shërbimit famëkeq të Republikës Demokratike Gjermane e nisi veprimtarinë e saj qysh në vitin 1990 dhe për shkak të emërtimit të gjatë që paraqet, ajo është njohur më shumë me emrin e drejtuesit që e ka kryesuar. Këto ishin shkurtimisht disa nga të dhënat bazë mbi origjinën e kësaj administrate. Sipas ligjit gjerman, çdo person ka të drejtë të kërkojë informacionin që ruhet në dosjet e STASI-t. Këtë të drejtë e kanë edhe pjesëtarë të familjeve të qytetarëve nga Gjermania Lindore, të cilët nuk jetojnë më. Nga shpenzimet që krijohen për dhënie informacioni ose njohje me dosjen - sipas paragrafit 6, 3 dhe 7 të rregullores së dosjeve të STASI-t - lirohen të prekurit, të tretët si dhe të afërmit e tyre.
Për të parë dosjen duhet të bëhet kërkesa në institucionin përkatës. Një formular-kërkesë e tillë mund të nxirret nga faqja në internet e institucionit. Meqenëse për shumë dokumenta u ndërmor përpjekja për t’ i zhdukur, shumë prej tyre janë të pasistemuara. Njoftimi i parë paraprak, nëse STASI ka spiunuar personin që bën kërkesë, zgjat 4 deri në 12 javë derisa materiali të përpunohet. Meqenëse kërkimet janë të shpërndara në arkiva të ndryshme dhe ish-qytetarët e Gjermanisë Lindore janë vëzhguar me një intensitet të ndryshëm nga ish-shërbimi sekret, edhe kërkimet mund të kenë kohëzgjatje të ndryshme.
Institucioni i fshin informacionet për viktimat e treta të spiunimit para se të lëshojë dosjen. Emrat dhe pseudonimet e bashkëpunëtorëve kryesorë dhe jozyrtarë të Stasi-t, bëhen sidoqoftë të ditura.
Institucioni ruan në arkivat e tij dokumentet e ish-Minsitrisë së Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së, dhe ia vë ato në dispozicion - për qëllime të ndryshme, sipas rregullave ligjore të rrepta - personave privatë, institucioneve dhe publikut.
Institucioni nuk bën vetëm kqyrjen e dosjeve, por ndërmerr edhe kërkime që zbardhin vetë historinë e Ministrisë së STASI-t dhe boton dosje me rezultatet e kërkimeve në publikimet e veta. Nëpërmjet aktiviteteve, ekspozitave edhe internetit, ai informon mbi faket më të reja në lidhje me historinë e diktaturës.
Puna e institucionit kontribuon për të mbajtur gjallë kujtimet për diktaturën, për ish-partinë në pushtet (SED), për viktimat por edhe për opozitën edhe qëndresën e saj kundër sistemit monist. Institucioni është transparent dhe synon të jetë pranë qytetarëve. Selia qendrore e institucionit gjendet në Berlin dhe ka 14 degë me arkivat në qytetet kryesore të ish-RDGJ-së. Drejtuesi i institucionit zgjidhet me propozim të Qeverisë Federale dhe miratohet nga Parlamenti Federal.
Drejtuesi është i pavarur në ushtrimin e detyrës së vet dhe i nënshtrohet vetëm ligjit. Të drejtat ligjore për aksesin ndaj dosjeve, të cilat duhet të jenë jo vetëm në dobi të interesave të publikut demokratik, por edhe mbrojtjes së të drejtave personale, janë marrë ndërkohë si model nga shumë shoqëri postdiktatoriale në botë. Prej shumë kohësh, institucioni i dosjeve të Stasi- t është bërë simbol për përpunimin e diktaturave dhe pasojave të tyre.
Kohët e fundit sipas disa informacioneve jo të verifikuara që qarkullojnë në shtypin gjerman, në këtë institucion hasen të punësuar edhe ish-bashkëpunëtorë të Stasi-t, gjë e cila përbën një skandal, porse të gjitha këto kanë mbetur në kuadër të thashethemeve të medias e nuk janë vërtetuar në rrugë zyrtare.

Shifra të dosjeve dhe kërkesave (që prej 1991)

Kërkesa të veçanta për akses në dosje etj. 2.517.619
Kërkesat për vitin 2008 arrijnë shifrën e 45.674 vetëve

Kërkesa për verifikimin e bashkëpunëtorëve të shërbimit publik: 1.753.869

Kërkesa në vitin 2005: 50.946
Kërkesa në vitin 2008: 154

Kërkesa të gazetarëve dhe shkencëtarëve: 20.753

Kërkesa në vitin 2005: 1.079
Kërkesa në gjysëmvitin 2008: 788

Kërkesa mbi çështjen e rehabilitimit, kompensimit apo ndjekjes ligjore: 444.154

Kërkesa në vitin 2005: 6.736
Kërkesa në gjysëmvitin 2008: 20.628
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›