Projektligji i Planifikimit të Territorit, pikat kyçe dhe avantazhet
“Nga stafi i MPPTT është punuar gjatë dhe menduam të bënim këtë takim me Kryesinë e Shoqatës së Qarqeve të Shqiërisë për të marrë opinione nga ju për përpunimin mjaft të thellë që i është bërë draftit në tërësinë e vetë. Është bërë një takim i parë disa muaj më parë në Pallatin e Kongreseve ku ju bëtë komente mbi draftin e parë. Duke qënë se ky është një projektligj shumë i ndjeshëm për shumë aktorë, unë kërkova të bënim këtë konsult për ligjin e ri të Planifikimit Hapsinor dhe që mbledhja të zhvillohej edhe në praninë e mediave në mënyrë që të kemi mundësi të shqyrtojmë se cilat janë opinionet e qarqeve cilat janë opinionet e aktorëve në këtë proces. Konsultimet do të vazhdojnë ditën e enjte me Shoqatën e Bashkive dhe Komunave. Gjithashtu dua të falenderoj ekspertët e Bankës Botërore për prezencën e tyre në këtë takim. Drafti i ri ka disa ndryshime themelore në skemën e funksionimit të vetë, pavarësisht se ruan disa prej koncepteve që mbarte drafti i parë. - Së pari i është dhënë një forcë më e madhe planifikimit të detyruar duke vendosur në projektligj mekanizma që precizojnë në mënyrë të qartë që planifikimi i territorit është një proces jofakultativ, por një proces i detyruar pra që cdo hapsirë e territorit duhet të mbulohet me nje plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi. - Është bërë një përpjekje për ta lidhur më mirë draftin me buxhetimin, pra që planifikimi mbi territor të mos jetë vetëm një vendosje njollash apo gjurmësh por të jetë një orientim edhe për investimet pubilke apo private që do të bëhen brënda territorit. Planet urbane pra duhet të shërbejnë jo vetëm për dhënie të lejeve të ndërtimit por kryesisht të orientojnë investimet publike në infrastrukturë dhe shërbime. - Është vendosur një hierarki më e mirë e planifikimit. I është dhënë një ndarje më e qartë kompetecave të niveleve të ndryshme duke u prirur drejt delegimit të sa më shumë kompetencave pranë njësive të qeverisjes vendore dhe qarqeve, pra e ndarë sipas niveleve të autoritetit në qendror, rajonal dhe lokal. Në dy nivelet e para planet kanë natyrë strategjike ndërsa në nivelin fundor planet marrin një natyrë më normative dhe rregulluese. Krijimi i një hallke të tillë planifikimi synon të rregullojë dhe koordinimin midis planifikimit të territoreve të ndryshme. Në këtë projektligj flitet për një planifikim të integruara dhe jo sektorial, çka është në themelin e planifikimit bashkohor edhe në vendet e zhvilluara. - Sidomos në raport me ligjin ekzistues, projektligji ka patur në themel tendencën decentralizuese të qeverisë. Nivelit lokal i është dhënë autoritet më shumë se në ligjin ekzistues duke u përputhur më mirë me ligjin për pushtetin lokal. Pushteti lokal është më përgjegjës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Në këtë kuadër do theksoja rolin e qarkut i cili ashtu si në ligjin e pushtetit lokal është konceptuar në rolin e një koordinatorit të strategjive rajonale duke bërë një përputhje më të mirë mes politikave kombëtare dhe atyre rajonale. - Duhet theksuar që projektligjin e karakterizon fryma e përgjegjshmërisë ndaj iniciativës private. Projektligji e ve administratën në pozita më dinamike në raport më iniciativën private. Implementimi i parimit të miratimit në heshtje synon që të shkurtojë jo thjesht afatet por edhe procedurat e sipërmarrësve në procesin e zhvillimit të tokës. Përmes këtij parimi administrata është e detyruar që t’i kthejë përgjigje në kohë sipërmarrësve, ose në të kundërt aplikimi krezmohet i miratuar në heshtje. Gjithashtu në këtë linjë ka një shkurtim të procedurave të lejeve të ndërtimit çka synon një zhdërvjelltësi të procesit dhe shmangien e spekulimit, uljen e barrierave dhe evitimin e korrupsionit. Njëkohësisht projektligji është i balancuar dhe në përgjegjësitë e administratës duke theksuar elementët mbrojtëse për të evituar që parimi i miratimit në heshtje të jetë subjekt i abuzimit dhe shmangies nga përgjegjësia. - Projektligji i planifikimit të territorit i ka kushtuar një vëmendje të madhe dhe çështjes së transparencës. Hartimi i planeve urbane kalon përmes proceseve të konsultimeve teknike dhe publike të detyrueshme në çdo nivel. Edhe pas miratimit të tyre projektligji sanksionon detyrimin e botimit të këtyre planeve edhe në mënyrë elektronike në mënyrë që publiku të jetë plotësisht i informuar për strategjitë e zhvillimit të territorit.
Gjithashtu edhe procesi i pajisjes me leje ndërtimi është i vendosur mbi plane që kanë kaluar filtrin e transparencës me publikun dhe janë të detyrueshme për botim duke rritur shkallën e transparencës së vendimmarrjes. Besojmë që disa nga elementët kyç të këtij projektligji adresojnë mendimet, shqetësimet dhe komentet e aktorëve në fushën e planifikimit urban dhe reflektojnë nocione dhe koncepte të diskutuara publikisht. Gjithsesi jemi të hapur të reflektojnë edhe në vazhdim komente dhe sugjerime”.
Fjala e mbajtur nga Ministri i Punëve Publike me përfaqësues të Kryesisë së Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë, më 21 tetor, 2008. Projektligji mbështetet gjerësisht në parimet evropiane dhe ndërkombëtare, si “Agenda 21” e Kombeve të Bashkuara “Për zhvillim të qëndrueshëm”
...