E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet Kongregacioni i 20-të i Sinodit të Ipeshkvijve të Vatikanit

Dje në Vatikan u mbajt kongregacioni i përgjithshëm i 20-të i Sinodit të Ipeshkvijve, në të cilën mori pjesë edhe Benedikti XVI. Gjatë punimeve u paraqit edhe lista e vetme e Propozimeve përfundimtare. Bëhet fjalë për një dokument mbi punimet e Sinodit ende të përkohshëm, në latinisht, që pastaj do të plotësohet dhe do të hidhet në votë të shtunën e ardhshme. Leximi i 53 Propozimeve përfundimtare u bë njëherësh nga kard. Mark Uje, relator i përgjithshëm dhe imzot Loren Monsengo Pazinia, sekretar i posaçëm i Sinodit.
Duke u nisur nga të mirat e mëdha, qoftë teologjike qoftë baritore që burojnë nga sa thuhet në kushtetutën dogmatike ‘Dei Verbum’ mbi ‘Dëftimin Hyjnor’, etërit sinodal shprehën para së gjithash urimin që besimtarët të rriten të vetëdijshëm për Fjalën e Hyut, për forcën e saj shpëtimtare, por edhe që Kisha ta përforcojë thirrjen e saj misionare.
Por si duhet vepruar që të arrihen këto? Lista e vetme e Propozimeve këshillon që të vështrohet pajtimi që sjell Fjala Hyjnore. Në raste konfliktesh etnike dhe tensionesh ndërfetare, pra, kërkohet impenjimi i katolikëve në ndërtimin e urave të dialogut për të ndërtuar një shoqëri më të harmonishme. Nga ky këndvështrim, është e rëndësishme, u tha gjatë mbledhjes që çdo besimtar të ketë Biblën vetjake. Më pas vjen liturgjia. Sinodi kërkoi që Shkrimi Shenjtë të ketë një vend të dukshëm nëpër Kisha dhe që roli i lexuesve të studiohet dhe të thellohet, pse jo edhe duke marrë parasysh teknikat e reja të komunikimit dhe përdorimin e qendrave të zërit. Një rëndësi të madhe i jep në dokument homelive që grishin për mision, homeli këto të përgatitura me uratë dhe të ushqyera nga doktrina. Është e mundur pra edhe themelimi i një drejtorie për homelitë. Gjithashtu te këto Propozime një vend të dukshëm zë edhe Lectio Divina, që duhet nxitur nëpër famulli, nëpër familje, nëpër lëvizjet e ndryshme kishtare për formimin e meshtarëve të ardhshëm, e të katekizmit. Kjo në mënyrë që formimi i të pagëzuarve të jetë i vazhdueshëm e të mos reduktohet vetëm në dhënien e sakramenteve. Pastaj duke vijuar, sa tha Ati i Shenjtë Bendikti XVI me 14 tetor në aulën e punimeve, një vëmendje e madhe i kushtohet në këtë dokument edhe ekzegjezës biblike dhe nevojës për të kapërcyer dualizmin ndërmjet ekzegjezës dhe teologjisë. Në fund pastaj edhe dy tema të tjera jo më pak të rëndësishme: ajo e misioneve për të varfërit dhe pastaj dialogu me hebrenjtë. Propozimet u mbyllën me dy falenderime. I pari për ata që kumtojnë Fjalën Hyjnore në kushte të vështira, dhe i dyti për Patrikun ortodoks ekumenik Bartelomeu I, i cili mori pjesë në lutjet e mbrëmësores të së shtunës së kaluar.
Papa: teknologjia e humaniteti ne mjekesi jane te pandashme/Të ruhet dinjiteti i të sëmurit duke mbështetur solidaritetin ndërmjet mjekut dhe të sëmurit. Të humanizohet mjekësia, duke mbështetur një lloj “pakti teraupetik” ndërmjet mjekut dhe të sëmurit. Ky qe thelbi i fjalës që Benediktit XVI i drejtoi dje Kongresit të kirurgëve italianë. Gjatë fjalimit të tij Ati i Shenjtë theksoi edhe dinjitetin e të sëmurit që duhet mbrojtur gjithnjë dhe se teknolgjia nuk mund të zëvendësojë dashurinë e përkujdesjet për të sëmurët. Në një reflektim të shkurtër, prof. Vinçenco Saraçenit, kryetar i Shoqatës Mjekët Katolikë Italianë thotë: “Më duket se në qendër të fjalës së tij është respekti për të sëmurin. Respekti për të sëmurin do të thotë respekt për dinjitetin e tij, gjithmonë. Ndonjëherë të sëmurët kanë përshtypjen se gjenden në kushte mungese respektimi dinjiteti dhe kjo varet edhe nga mënyra sesi mjekët i afrohet të sëmurit. Nganjëherë pastaj, të sëmurët kanë përshtypjen se mjekët nuk e marrin parasysh gjendjen e tyre. Pra, para së gjithash duhet të respektohet dinjiteti i tyre, dhe së dyti, të respektohet historia e jetës së tyre. Për më tepër, thotë Ati i Shenjtë, nëse kjo histori dëgjohet me vëmendje, mund edhe të ndihmojë mjekun ta bëjë më mirë diagnozën”.
Mirënjohje për dëshminë ungjillore të motër Emmanuelle/Mirënjohje të pakufi për dëshminë e dashurisë së rregulltares franceze motër Emmanuelle që ka dhuruar jetën e saj në dobi të të mënjanuarve, mbi të gjitha për të varfëritë e të mënjanuarit e Kajros së Egjipit, kështu u shpreh arqipeshkëvi i Parisit, kard. Vingt-Trois, me marrjen e lajmit të vdekjes së rregulltarës franceze, e cila ndërroi jetë pardje në Paris në moshën 99 vjeçare. Shoqata humanitare e bamirëse që mban emrin e motrës Emmanuelle, vazhdon veprën e saj edhe sot, duke ndihmuar fëmijët e varfër në të gjithë botën nga Egjipti, Sudani, Filipinet, India e vendet tjera. Varrimi i rregulltares do të bëhet ë rreth të ngushtë, në përputhje me vet vullnetin e saj. Trishtimi por edhe shpresa janë ndjenjat e atyre që e kanë njohur në Kajro këtë dëshmitare të dashurisë Ungjillore, ku motër Emmanuelle për 20 vjet ka vepruar e ndërtuar kopshte për fëmijë, shkolla e qendra shëndetësore për më nevojtarët. Motër Emmanuelle qe një “grua me zemër e vepra të jashtëzakonshme dashurie vëllazërore për të gjithë e do të na mungojë shumë”, shkruan kryeipeshkvi i Parisit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›