E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, si misri pa kokrra i Erion Braçes

E majta shqiptare ka mbetur totalisht e stepur dhe me një mungesë të madhe reagimi civil e institucional, përballë qeverisë së djathtë, që jo vetëm po i përmbush ato çka premtoi tre vjet më parë, por në shumicën e rasteve po tejkalon edhe premtimet e dhëna. Duhet të jetë opozita më me pak dituri në të bërit opozitë në vendet e Lindjes, kjo për faktin se po nuk pati një strategji të mirëfilltë opozitarizmi, rastësia nxjerr në skenë, skema të padëshirueshme e qesharake njëkohësisht. Ndoshta opozita e misrit duhet të mbahet mend si më e forta opozitë, të paktën e sivjetshme, kur Braçet dhe Hysët në vend që të shkonin në parlament me ide të qarta kundërshtuese, zgjodhën rrugën më të rrugës; të nduknin nga një misër pa mustaqe, dhe ta tundnin në atë foltore të nderuar ku të zgjedhurit e mirëfilltë të popullit qajnë halle, ndërsa të tjerët herë bëjnë gallatë, herë i zë gjumi sipër saj, për të mos lënë iniciativat e lira që të shprehen. Po mundohesha një ditë që këtë ngjarje tia tregoja një evropiani, por ai nuk po arrinte të kuptonte, apo nuk donte që ta besonte, se parlamentarët e një shteti që ka marrë ftesën për në NATO, dhe që është kandidat potencial për të marrë ftesën e anëtarësimit në BE, marrin me vete nëpër xhepa perime, fruta apo agrume!!!! Përderisa nga selia e tyre nuk vjen ndonjë projekt tjetër për t’i bërë ballë furtunës të së djathtës, këto janë mjetet rrethanore të të bërit opozitë. Nëse kryeministri Berisha, kur ishte në opozitë kishte mitingun si një ndër armët e potencialit të tij opozitar, sot, Edi Rama po luan vetëm me xhokerë të llojit Velija, i kudondodhur dhe që po bën sa mundet atë çfarë bën edhe Shalsi në Bashkinë e Tiranës. Akuzat e tij të drejtpërdrejta e bëjnë Erionin një vegël të paskrupullt në dorën e Ramës, aq më shumë kur konkluzionet e tyre të shpeshta në ndihmë të Prokurorisë Shqiptare dalin huq. Po të kishte informacione të sakta, z.Veliaj do të ishte më e ndershme që të tregonte se kush i vodhi kompjuterin e tij pak para se të jepte dorëheqjen nga lëvizja "Mjaft". Me këtë opozitë - ku në njërën anë Ilir Meta thyen vazot e parlamentit e nga ana tjetër Edi Rama dhe erjonët e tij mundohen t’i ngjajnë Obamës me fushatën e tyre të mjerë, e djathta shqiptare as që ka nevojë që të bëjë fushatë, pasi i ka të garantuara zgjedhjet, sepse nuk mjafton që të kesh shpirtin e mohimit të gjithçkaje, apo të jesh Mefistofel, por duhet edhe të ofrosh alternativa dhe jo të tundësh para kamerave misra pa kokrra dhe pa mustaqe, nga njerëz që e ndiejnë veten shumë më komod në opozitë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›