Lutaj: “Do të kërkoj komision hetimor për zbardhjen e ngjarjes”
Eljona Ballhysa
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, ka deklaruar dje se është e nevojshme ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për zbardhjen e tragjedisë së Durrësit, ku mbetën të vrarë katër policë gjatë një operacioni në kapjen e shumë të kërkuarit Dritan Dajti. Lutaj, i cili ka mbajtur dhe postin e drejtorit të Policisë së Burgjeve, bën të ditur se do t’i propozojë Partisë Socialiste që me fillimin e punës së Kuvendit të ri, një ndër kërkesat të jetë ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për këtë ngjarje, por dhe për vrasjen e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Në një deklaratë për mediat Lutaj ka bërë të ditur se duhet të dalin përgjegjësit e tragjedisë. Sipas tij, drejtuesit e Policisë duhet të sqarojnë ngjarjen dhe të mos fshihen. Ai deklaron se është e nevojshme të dalë personi që ka dhënë urdhër për kryerjen e operacionit. Ndërsa ish-ministri i Brendshëm në vitet ‘98-‘99, Petro Koçi, shprehet se është e nevojshme që përveç masave administrative që duhet të merren ndaj drejtuesve të Policisë, është e nevojshme të mbahet përgjegjësi politike, çka nënkupton dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani.
Deklarata
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, në deklaratën e tij, thekson se ngjarja tragjike ku humbën jetën katër punonjës të Policisë është pasojë e mosbesimit që ekziston midis strukturave të Policisë së Shtetit, mosbesim që evitoi, sipas tij, edhe RENEA-n, që është e specializuar për arrestime të tilla si ajo e të shumëkërkuarit Dajti. “Do t’u propozoj strukturave të Partisë Socialiste ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar punën e Policisë së Shtetit. Kjo për faktin se janë tri ngjarje të rënda që kanë ndodhur, të cilat nuk janë zbardhur ende. Ka tre muaj që është vrarë deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhindi dhe ende nuk kemi asnjë fjalë për të, pra nuk është zbardhur çështja. Pak muaj më parë u qëllua në mes të Tiranës një anëtar i Gjykatës së Lartë dhe nuk është zbardhur çështja”, - është shprehur Lutaj. Më tej ai akuzon për paaftësi personat që dhanë urdhrin për operacionin e policisë për arrestimin e Dritan Dajtit. “Mendoj se mungon besimi te strukturat e Policisë. Kjo sepse nuk shpjegohet ndryshe pse janë shmangur forcat speciale “RENEA”, që janë të specializuara për të tilla operacione. Ndërsa operacioni është kryer nga një strukturë që ishte e specializuar për teknika të veçanta të hetimit, dhe jo për operacione të tilla. Dritan Dajti ka bërë një arratisje spektakolare. Duhej një operacion i mirëmenduar. Ose të dalë drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe të bëjë transparencë”, - është shprehur Lutaj, ndërsa e cilëson të pavend operacionin e policisë në mes të ditës, në një vend të populluar siç është Plazhi i Durrësit. “Në asnjë vend të botës nuk bëhet operacion policie në mes të ditës, në një zonë të mbipopulluar, siç është Plazhi i Durrësit. Unë mendoj se operacioni është urdhëruar nga njerëz të paaftë, që i kanë çuar drejt vdekjes punonjësit e policisë”, - është shprehur Lutaj.
Kërkesa
Ndërsa ish-ministri i Brendshëm në vitet ‘98-‘99, Petro Koçi, mendon se ngjarja është aq e rënë, sa ministri i Brendshëm Bujar Nishani duhet të japë dorëheqjen. “Unë besoj se procesi ka qenë i papërgatitur mirë, i organizuar në kushte jo të favorshme për punonjësit e Policisë së Shtetit. Besoj se është vendi për të ndërhyrë me masa të rrepta administrative ndaj përgjegjësve të operacionit. Ka vend dhe për një reflektim politik nga drejtuesi i institucionit të Ministrisë së Brendshme, që duhet të japë dorëheqjen. Është një ngjarje që na kthen në vitin ’97, ku shtetin e drejtonin bandat. Pavarësisht se do të kemi së shpejti një qeveri të re, mendoj se ka vend për dorëheqjen e ministrit Nishani”, - është shprehur Koçi. Ndërsa ish-ministri Neritan Ceka fajëson autoritetet për mos garantimin e veshjes me antiplumb të policëve gjatë operacionit ku gjetën vdekjen.
Vrasja e policëve, politikanët kërkojnë vendosjen e drejtësisë
Vrasja e katër punonjësve të Policisë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të klasës politike shqiptare. Krerët më të lartë të shtetit kanë dënuar aktin kriminal duke mbështetur punën e bërë nga policia dhe marrjen e të gjitha masave që drejtësia të vihet në vend. Kanë folur me të njëjtën gjuhë politikanët e të gjitha ngjyrave, të cilët kanë bërë apel për mbështetjen e forcave të rendit dhe luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe bandave kriminale. Kreu i shtetit, Bamir Topi, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e homazheve në nder të katër punonjësve të Policisë së Shtetit shprehu “solidaritetin e plotë për forcat e rendit për të gjithë ata që punojnë në çdo sekondë të njëzetekatërorëshit për vendosjen e rendit në çdo qelizë të vendit tonë”. Nga ana tjetër Topi nxiti “të gjithë institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe njëherë mesazhin e fortë, që duhet të vijë nga çdo institucion, për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar”.
Edhe kryeministri Berisha premtoi luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar. “Ky krim i shëmtuar, i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e Drejtësisë, kam bindjen më të thellë, se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit për t’u dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri sot. Ai ia doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe”, - është shprehur Berisha.
11 Gusht 2009