E Diel, 1 Nëntor 2026

Struktura e qeverisë së re, ministritë që pritet të shkrihen



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha pritet të mbajë premtimin e bërë për reduktim të mëtejshëm të numrit të ministrive dhe për një qeveri akoma më të vogël. Burimet pranë shefit të qeverisë bëjnë të ditur se nga 14 që është aktualisht, numri i ministrive pritet të shkojë në 13 ose në 12. Ndërsa struktura e qeverisë së re parashikon reduktim të portofolave ministrorë, nga ana tjetër, parashikon rritjen e numrit të zëvendësministrave. Burimet bëjnë të ditur se një strukturë e tillë qeverie, e cila parashikon reduktim të posteve ministrore, ul shpenzimet operative. Ndërsa rritja e numrit të zëvendësministrave parashikon një përfaqësim sa më të gjerë të të gjithë aleatëve dhe ngjyrave në qeveri. Burimet gjithashtu pohojnë se një tjetër lëvizje e re e Berishës është emërimi i dy zëvendëskryeministrave. Por, këta të fundit nuk do të kenë portofola më vete, por do të mbajnë secili dhe postin e ministrit dhe atë të zëvendëskryeministrit në të njëjtën kohë.
Struktura
Burimet bëjnë të ditur se struktura e qeverisë deri diku është e kushtëzuar dhe nga negociatat që lideri i Partisë Demokratike do të zhvillojë javën e fundit të muajit gusht me kryetarët e partive aleate. Por, gjithsesi, Berisha e ka synim reduktimin e ministrive, ashtu sikurse e ka premtuar dhe gjatë fushatës elektorale. Sipas diskutimeve të para të nivelit të lartë, burimet konfirmojnë se pritet të shkrihen dy ministri. Konkretisht, pritet shkrirja e Ministrisë së Integrimit dhe bashkimi i saj me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ndërkaq, do të shtohet numri i zëvendësministrave të Jashtëm. Nga dy që janë aktualisht do të bëhen tre ose katër të tillë. Roli, por dhe pesha e zëvendësministrit do të jetë më e madhe se ç’është aktualisht. Një tjetër ministri që mendohet se do të shkrihet është Ministria e Mjedisit, e cila do të bashkohet me Ministrinë e Bujqësisë. Edhe këtu do të shtohen postet e zëvendësministrave. Nga dy do të bëhen tre të tillë. Ndërkaq, pritet edhe shkrirja e postit të zëvendëskryeministrit dhe emërimi i dy ministrave si zëvendëskryeministra, pra një titullar do të mbajë dy poste.
Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se kryeministri Berisha po mendon të ndajë Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës në dy portofola. Pra, të ndajë veç Ministrinë e Ekonomisë dhe veç Ministrinë e Energjetikës, duke i kushtuar rëndësi kësaj të dytës. Kjo për faktin se gjatë këtij katërvjeçari është parashikuar ndërtimi i dhjetëra hidrocentraleve që janë miratuar në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Po kështu janë parashikuara me dhjetëra parqe industriale e energjetike. Kjo përputhet dhe me premtimet publike të kryeministrit Berisha për ta bërë Shqipërinë fuqi energjetike në rajonin e Ballkanit.
Gjithsesi, burimet pohojnë se këto janë piketat e para të hedhura në letër nga kreu i qeverisë, i cili njihet për vendimet surprizë të orës së fundit. Por ajo që dihet është reduktimi i portofolave ministrorë, për të bërë realitet një premtim elektoral.

Kriza ekonomike e detyron Berishën të reduktojë ministritë

Në vitin 2005 kryeministri Berisha nxori idenë e qeverisë në dietë. Ai premtoi një qeveri të vogël dhe eficiente dhe arriti të ulë në mënyrë drastike numrin e ministrive, krahasuar me ato të qeverisë “Nano”. Gjatë viteve në vazhdim Berisha e cilësoi këtë vendim të tij si të suksesshëm, pasi, sipas tij, solli uljen e shpenzimeve operative. Pra reduktimi i një posti ministror sjell më pak fonde nga buxheti i shtetit për “luksin” e ministrave, siç janë makinat, karburanti, rroga e shoferit, dietat, kabineti i ministrit, sekretari i Përgjithshëm, këshilltarët, zëvendësministrat etj. Pas katër viteve në krye të një qeverie me 14 ministra, Berisha doli në fushatën e vitit 2009 me një tjetër premtim. Ai tha se do t reduktonte numrin e ministrave në 12. Berisha u shpreh se është e pavend një qeveri e fryrë në një shtet të vogël si Shqipëria. Por duket se këtë radhë kreu i qeverisë është i detyruar ta vendosë në dietë të rreptë qeverinë edhe për shkak të krizës ekonomike botërore. Kreu i qeverisë është i detyruar që gjatë katër viteve në vazhdim të kursejë më shumë para dhe një mënyrë e mirë është shkurtimi i fondeve për administratën publike, reduktimi i posteve ministrore dhe i shpenzimeve operative.

Kërkesat e aleatëve për pushtet, rritet numri i zëvendësministrave

17 partitë e koalicionit “Aleanca për ndryshim” kërkojnë të gjitha nga një pjesëz të pushtetit të fituar në zgjedhje. Që të gjitha partitë i kanë kthyer sytë nga PD-ja, duke synuar për poste të rëndësishme. Duket se kjo është arsyeja pse pritet të shtohet numri i zëvendësministrave. Kryeministri Berisha pritet t’i kënaqë të gjithë aleatët e koalicionit, si ata që kanë fituar një mandat deputeti, ashtu dhe ata që nuk arritën të futen në Kuvendin e ri. Aleatët tradicionalë, siç janë republikanët, kërkojnë portofol ministror, por dhe dy poste zëvendësministrash, pa llogaritur këtu postet në nivel drejtorish. Një aleate e re që i është shtuar koalicionit të PD-së dhe që në këto zgjedhje rezultoi fituese është Partia për Drejtësi dhe Integrim, që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri. Edhe kjo parti synon një post ministror. Pesë nga 17 partitë e koalicionit kërkojnë përfaqësim në qeverinë e re në nivel zëvendësministrash. Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, është shprehur publikisht se i takon një përfaqësim i tillë dinjitoz për shkak të vlerave historike që ka kjo parti, pavarësisht se rezultati në zgjedhje nuk ishte ai që pritej. Megjithëse nuk kanë marrë mandate deputetësh, post zëvendësministri në qeverinë e re pretendojnë dhe partitë të tjera të koalicionit, siç janë Bashkimi Liberal Demokrat me kryetar Arian Starovën, Lidhja Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nikollë Lesin, Partia Agrare Ambientaliste me Lufter Xhuvelin, si dhe Partia Lëvizja e Legalitetit me kryetar Ekrem Spahiun. Për një kërkesë të tillë krerët e këtyre partive bazohen në aktmarrëveshjen e nënshkruar me PD-në para zgjedhjeve, e cila parashikon bashkëpunim paszgjedhor në rast fitoreje të koalicionit.

11 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›